Lideri historik i PD: “Rama të heqë dorë nga bllokimi i rinumërimit - pa transparencën e votës, PD nuk njeh asnjë rezultat”
Berisha: Lezha tregoi fytyrën më të shëmtuar të zgjedhjeve në 20 vitet e fundit - ia kaloi edhe “Dushkut”
“Vendi im kërkon, qytetarët e mi kërkojnë që çdo fletë votimi të rinumërohet dhe asgjë të mos qëndrojë mbi krimin, drogën dhe kartelin e saj”
Nga selia e Partisë Demokratike ku votoi për kryetarin e ri të demokratëve, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje Edi Ramës që të mos bllokojë procesin e numërimit të votave. Në një prononcim për mediat, kreu i qeverisë tha se do të njohë çdo rezultat që del nga numërimi i ndershëm i votave të qytetarëve, ndërsa s’do të pranojë kurrë një pushtet të dalë nga falsifikimi dhe mashtrimi i votës, krimi, droga dhe kartelet e saj. “Jam këtu t’i them Ramës mos bëj gabimin fatal për të bllokuar numërimin e votave! Sali Berisha ka njohur rezultatin siç u shpall fillimisht. Sali Berisha do të njohë çdo rezultat që del nga numërimi i ndershëm i votave. Ta dijë mirë se nuk do të gëzojë kurrë një pushtet të dalë nga falsifikimi dhe mashtrimi i votës. Ai nuk mund të jetë kurrë Kryeministër që me një thes votash të vjedhura të përfaqësojë Shqipërinë, në Shqipëri, në Evropë dhe në botë. Thirrja është një dhe vetëm një, të numërohet çdo votë dhe unë absolutisht të respektoj njëlloj si atë që është pro dhe ajo që është kundër. Dhe unë e faktova këtë me qëndrimin tim dhe besoj se bëra atë që kërkonte vendi im. Por vendi im kërkon, qytetarët e mi kërkojnë që çdo fletë votimi të rinumërohet dhe asgjë të mos qëndrojë mbi krimin, drogën dhe kartelin e saj”- deklaroi Berisha. Ai tha se Lezha tregoi fytyrën më të shëmtuar të zgjedhjeve në 20 vitet e fundit dhe theksoi se PD nuk do ta njohë pushtetin e dalë nga vota e vjedhur. “Ajo që ne pamë në 14 qendrat e Lezhës është fytyra më e shëmtuar në zgjedhjet e 23 viteve të fundit. Ka qenë “Dushku”, por “Dushku” ishte një teknikalitet amoral, kurse kjo është një vjedhje manuale me duar të pista, me pare të pista, me qytë revolveri dhe me të gjitha mjetet. Është në interesin më të mirë të Kryeministrit të ardhshëm, është në interesin më të mirë të çdo qytetari që të bëjnë këtë transparencë për ndryshe. Partia Demokratike nuk do të njohë kurrë pushtet të dalë nga vota e vjedhur”- theksoi kryeministri.
Prononcimi i kryeministrit Sali Berisha për mediat
Ka pasur komisionerë të PD-së të cilët kanë qenë gjatë procesit të administrimin të zgjedhjeve…
Atëherë, e di ç’më thoni me këtë pyetje, më thoni “Të vjedhim bashkërisht”. Midis atij që vjedh dhe asiston, më i lig është ai që asiston dhe nuk ka diskutim, ligji do të veprojë. Por, ai që kërkon të bllokojë dhe të maskojë vjedhësin dhe asistentin ai del dy herë i pafytyrë. Ndaj dhe unë kërkoj të mos provokohet Partia Demokratike. Kërkoj që mbi bazën e fakteve të gjetura të vazhdojë rinumërimi, të jetë vetë z. Rama i cili ka bërtitur shesheve të Shqipërisë, vite më radhë, hap kutitë jashtë të gjitha afateve. Këto janë të gjitha në afat dhe tani rend në Gjykatë për ta bllokuar rinumërimin. Rend në Gjykatë, shikojeni. Rend në Gjykatë se e di që thesi i votave të vjedhura do të shndërrohet në mullarin e votave të vjedhura. Unë i them të vë interesin e vendit të parin. Unë e vura, unë njoha rezultatin e zgjedhjeve të paçertifikuara nga KQZ-ja dhe mirë bëra sepse ai ishte interesi i vendit. Z. Rama mos blloko se të garantoj se nuk ke potenciale për të mbajtur pushtetin të dalë nga krimi, mashtrimi dhe droga.
Po kjo gjë ka ndodhur vetëm në këto dy qarqe z. Berisha apo në të gjithë Shqipërinë?
Kjo gjë ka ndodhur në disa zona, por nuk mund të them se ndodhi në Mirditë. Kur ju e patë se votat dolën një më një siç ishin, me një gabim njerëzor. Një gjë jam krenar, se në asnjë nga ato rrethana nuk janë vota të vjedhura nga Partia Demokratike sepse PD ka një instruksion të qartë për respektimin e votës. Kanë çeduar komisionerë të saj, janë blerë apo nga frika e terrori, do të hetohet nga prokuroria. Por ajo që del, një njeri që pretendon të jetë nesër kryeministër i vendit dhe vrapon në Gjykatë për të bllokuar numërimin e votave nga frika se si i bëhet mullar e garantoj që bën një gabim fatal për vete dhe për partinë e tij dhe në tërësi.
Z. Berisha nëse Rama arrin ta provojë këtë gjë ju s’do njihni të gjithë rezultatin?
Absolutisht, asnjë rezultat, asnjë pushtet të dalë nga këto votime. Ne kërkojmë tani transparencën, kaq. Ne kemi pranuar rezultatin apriori. Shikoni, qëndrimi ynë, pa certifikim nga KQZ-ja, pa certifikim nga Gjykatat. Ne pranuam. Kjo është kultura jonë demokratike, por pastaj nëse dikush do diktat, mendon të na diktojë me pushtetin e mashtrimit dhe të votës së vjedhur ne do të përdorim të gjitha mjetet, për t’i dalë zot votës së qytetarit. E vërteta është, për të mos pasur frikë, për të nxjerrë para qytetarëve të vërtetën.