E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lideri i ardhshëm i Koresë së Veriut: Të gjitha shanset për djalin e tretë të Kim

Në kujtimet për ditët që kaloi
pranë Kim Jong Il si shefi i
tij personal në Pjon Jang, Kenji
Fujimoto e cilëson Kim Jong
Un, djalin e tretë të diktatorit
koreanoverior, "Princi". "Kur Un
më jepte dorën, ai më shihte
ngultas. Nuk mund ta harroj
kurrë vështrimin depërtues të
syve të tij... Ishte sikur mendonte
me vete se unë isha një japonez
që herët a vonë do të dezertoja",
shkruan Fujimoto. Për këtë pjesë
të temperamentit të tij dhe për
të tjera të veçanta, Kim Jong Un,
edhe pse aktualisht është vetëm
26 vjeç, duket se është përcaktuar
nga i ati dhe kasta e lartë
drejtuese e vendit për të qenë
pasuesi i mundshëm i Kim Jong
Il, liderit të madh të partisë. Që
nga vjeshta e kaluar, kur lideri
pësoi një goditje të rëndë në
zemër, çështja e zëvendësimit
të tij u bë një nga çështjet më të
rëndësishme për partinë. Edhe
pse siç thuhet Kim ka rimarrë në
drejtimin e tij një pjesë të madhe
të detyrave që i takojnë, të gjithë
duhet të përgatiten për të pashmangshmen,
herët ose vonë.
Thuhet se kur Kim nuk kishte
mundësi për të drejtuar vendin,
këtë e bëri kunati i tij, Chang
Sung Taek, që është martuar me
motrën e vogël të diktatorit. Tani,
sipas vëzhguesve të ndryshëm
që merren me çështjen e Koresë
së Veriut, Chang po merret edhe
me trajnimin e djalit të vogël të
Kim, i cili duket se këtë herë është
shndërruar në njëfarë regjenti.
Sipas analistëve, Chang është ura
që lidh atin me birin. Megjithatë,
asgjë nuk dihet me siguri, duke
qenë se Koreja e Veriut është një
vend shumë i mbyllur dhe shumë
i padepërtueshëm edhe nga shërbimet
e fshehta më të zhvilluara
e të fuqishme të botës. Kështu,
për shembull, për djalin e vogël
të Kim nuk dihej asnjë gjë deri
në vitin 2003, kur Fujimoto botoi
një libër për periudhën që kishte
shërbyer në Korenë e Veriut.
Japonezi është edhe burimi i
fotos së vetme për djalin, foto
e nxjerrë kur ai ishte vetëm 11
vjeç. Ai është djali që Kim Jong Il
e ka me gruan e tretë, që ka qenë
edhe favoritja, sipas njoftimeve.
Ajo ka qenë kërcimtare dhe vdiq
në vitin 2004 nga kanceri i gjirit.
Kishte lindur në Japoni, por u
rikthye në vitin 1960 në Korenë e
Veriut bashkë me të atin. Studimet
e larta djali i preferuar i kreu
në Shkollën Ndërkombëtare në
Bernë të Zvicrës, sigurisht nën një
pseudonim për të fshehur identitetin
e vërtetë. Më pas ndoqi
edhe Akademinë Ushtarake në
Pjon Jang. Sipas analistëve të
ndryshëm, ai është favoriti i të
atit, sepse ka më shumë personalitet
se vëllezërit e tij më të mëdhenj.
Që ai tashmë është shndërruar
në një "princ të kurorës" kjo
është e qartë, duke qenë se në
prill u emërua në krye të Komisionit
Kombëtar të Mbrojtjes, një
pozicion jashtëzakonisht i rëndësishëm,
që paralajmëron se ai do
të jetë pasues i të atit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›