E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vardisja e rrezikshme

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, të cilat zhvillohen sot në Rusi dhe të atyre presidenciale, që zhvillohen në mars, partitë pro-Kremlinit po shfrytëzojnë retorikën nacionaliste, për të shfrytëzuar dhe joshur partitë e ekstremit të djathtë. Por kjo është një lojë mjaft e rrezikshme. Nëse e djathta ekstreme forcohet, ajo mund ta kërcënojë edhe vetë Vladimir Putinin.

Khotkovo është një qytet i vogël në Rusi, rreth 60 kilometra në verilindje të Moskës. Prefektja aktuale e qytetit, Rita Tihomirova, siç i takon një zyrtari të qeverisë, është anëtare e Rusisë së bashkuar, partisë së kryeministrit Vladimir Putin.

Me zgjedhjet parlamentare, të cilat zhvillohen sot në Rusi, Rusia e Bashkuar ka mbushur Khotkovon me reklama zgjedhore.

Khotkovo vetë vështirë se do t’ia kishte vlejt të përmendet, po të mos ishte shndërruar vitin e kaluar në qytetin e parë në Rusi, të “pastruar nga të huajt”.

Këtu, sikur edhe në pjesët tjera të Rusisë, punëtorët nga Azia Qendrore kryenin punët më të rënda dhe të paguara pak, deri në vjeshtën e vitit të kaluar, kur djelmosha të ri nga Taxhikistani therën për vdekje një rus të dehur.

Qytetarët e hidhëruar bllokuan rrugën qendrore të qytetit dhe kërkuan dëbimin e gjithë të huajve.

Po atë mbrëmje, prefektja dëboi nga qyteti qindra taxhikë, përfshirë këtu edhe gra dhe fëmijë. Ende pa u larguar mirë nga qyteti, një turmë e tërbuar e njerëzve dogji shtëpitë e tyre. Gjysmë të tmerruara, e gjysmë të impresionuara, gazetat në Moskë përhapën lajmin për qytetin e ri të “bardhë dhe të pastër”.

“Rusia për rusët”, ky slogan ka filluar të përhapet nga Moska, deri në rajonet e Lindjes së Largët të Rusisë. Anketat dëshmojnë se rreth 60 për qind e rusëve po e mbështesin këtë slogan, një rezultat që duhet të jetë shqetësues për Kremlinin, ngase pothuajse me siguri se do të ketë ndikim në zgjedhje.

Kremlini në prag të zgjedhjeve ka ushtruar trysni ndaj guvernatorëve, komisioneve zgjedhore dhe medieve, për t’u siguruar se Rusia e Bashkuar do të fitojë sërish shumicën e votave. Rezultati i zgjedhjeve tashmë është i qartë.

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putini, ka filluar të shfrytëzojë edhe trysninë psikologjike.

Në fjalimin e tij të fundit para përbërjes aktuale të Dumës, ai i bëri thirrje opozitës që mos të nxitë trazira, duke nënvizuar se stabiliteti i Rusisë është gjëja më e rëndësishme. Opozita, shtoi Putin, ekziston thjeshtë për qëllimin që partia qeveritare të ngadhënjejë edhe më bindshëm dhe t’i tregonte shoqërisë shtegun e drejtë.

Fjalimi i tij tingëllonte si një kërcënim. Putin dhe Dimitri Medvedev, i cili do të mbajë edhe për pesë muaj presidencën, por i cili gjithashtu është kandidat i Rusisë së Bashkuar në zgjedhjet parlamentare, kanë përjetuar rënie të popullaritetit.

Përkrahja për Rusinë e Bashkuar, e cila në zgjedhjet e kaluara ka fituar 64 për qind të votave, ka rënë aktualisht në 40 për qind.

Në ndërkohë, punëtorët e huaj në Rusi fajësohen për të gjitha rrjedhat dhe gjërat negative në vend. Nëse Rusia do të lejonte zgjedhje vërtetë të lira dhe korrekte, ne to nuk do të ngadhënjenin liberalët e favorizuar nga Perëndimi, siç është ish-zëvendëskryeministri i Rusisë, Boris Nemtsov, por do të fitonin nacionalistët radikalë.

“Revolucioni në Rusi nuk do të ishte i portokalltë apo demokratik, siç ishte në Ukrainë, në vitin 2004, por do të ishte ngjyrë kafe”, thotë Nemtsov, duke ju referuar ngjyrës identifikuese të ekstremit të djathtë.

Në përpjekje që të ndalë rënien e popullaritetit të Rusisë së Bashkuar dhe për të ndalur vrullin e së djathtës ekstreme, Putini ka filluar të përdorë një retorikë nacionaliste për partinë e tij dhe partitë tjera, që kontrollohen nga Kremlini.

Aleksandër Torshin, zëvendës-kryetar i Këshillit të Federatës së Rusisë, dhomës së epërme të parlamentit dhe një nga lojtarët kyç në radhët e Rusisë së Bashkuar, është kërcënuar se do të dëbojë imigrantët, të cilët nuk sillen si duhet.

Vladimir Zhirinovsky, kryesues i së ashtuquajturës Partia Liberale Demokratike e Rusisë, e cila në fakt është parti nacionaliste, po shfrytëzon sloganin “Rusia për rusët”, për të ndalë subvencionet me vlerë prej disa miliarda dollarë, të cilat Kremlini po i dërgon në Kaukaz. Deri me tani, prokurorët nuk e kanë shqetësuar Zhirinovskyn, pasi që Kremlini po përfiton nga partia e tij.

Por kjo është një lojë mjaft e rrezikshme. Nëse e djathta ekstreme forcohet tej mase në Rusi, një shtet multi-etnik me mbi 15 milionë banorë myslimanë dhe me mbi 100 grupe të ndryshme etnike, atëherë vendi rrezikon të del nga binarët.

Aq më parë kur dihet se popullata në Rusi po plaket dhe se vendi është i varur nga fuqia punëtore që vjen nga jashtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›