Lidhja Demokratike e Gruas zgjedh forumet e reja drejtuese në Skrapar
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë mbajti Kuvendin e degës Skrapar, nga ku u zgjodhën strukturat drejtuese të këtij forumi. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë,deputetja Albana Vokshi konfirmoi angazhimin e mazhorancës qeverisëse për të rritur pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje dhe në jetën politike.
Vokshi deklaroi se në administratën qendrore dhe atë lokale, 65 për qind e punonjësve janë gra dhe vajza.
Gjatë takimit me aktivistet e LDGSH-së në Skrapar, Vokshi tërhoqi vëmendjen edhe drejt fuqizimit ekonomik dhe social të gruas, duke krijuar mundësi kreditimi për bizneset që drejtohen nga gratë. Në Kuvendin e Lidhjes Demokratike, dega Skrapar morën pjesë dhe deputetët e qarkut të Beratit, Genc Pollo, njëkohësisht ministër për inovacionin, teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, deputeti Lefter Maliqi, Prefekti i Beratit, Bujar Hoxha dhe drejtues të Partisë Demokratike në Skrapar, të cilët theksuan rolin e forumeve të LDGSH-së në proceset elektorale.
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë është organizatë politike, partnere e Partisë Demokratike, krijuar në vitin 1991. LDGSH ka 15 mijë anëtare dhe është në proces zgjedhjesh në të gjitha degët e saj. LDGSH bën pjesë dhe në forumin e grave të Partive Popullore Europiane.