Rouçek: Për 6 muaj do monitorojmë sjelljen e forcave politike, në tetor do shpallet raporti

Brukseli: Politika shqiptare të rrisë bashkëpunimin për axhendën evropiane
Pas deklaratës së Jelko Kacin se krahas raport-progresit, Parlamenti Europian do të nxjerrë një raport të ri për Shqipërinë, intensifikohen thirrjet e Brukselit që politika shqiptare të rrisë bashkëpunimin për axhendën europiane.
Libor Rouçek, zëvendëskryetari i grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve europian thotë se në 6 muajt në vijim do të jenë nën vëzhgim sjelljet e politikës shqiptare jo vetëm për kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian, por edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në muajin korrik.
“Të dyja forcat e mëdha politike së bashku: Partia Demokratike dhe Partia Socialiste tani duhet të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre për axhendën evropiane. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ajo që do të ishte thelbësore këtë vit,është raport progresi i vjeshtës. Unë personalisht do të doja që të diskutohej për Shqipërinë, por ne, grupi ynë politik i socialistëve e demokratëve nuk kemi një raportues për Shqipërinë. Më parë e kemi pasur këtë, por tani e ka marrë një grup tjetër. Ne mund të bëjmë presion, por nuk kemi raportues. Por ajo që është më e rëndësishme për Shqipërinë, është që ajo duhet të bëjë ndryshime, të bëjë reforma. Në mënyrë që këto ndryshime të përfshihen në raportin e progresit të Komisionit që del në tetor”, tha Rouçek.
Raporti i Parlamentit Europian do të debatohet dhe miratohet përpara publikimit të raportit të progresit të Komisionit Europian në tetor.