Korçë, vetëhelmohet një 55-vjeçare
Korçë- Një grua 55-vjeçe ndodhet në gjendje të rëndë, në spitalin e Korçës, pasi ka pirë preparate kimike për t’u vetëhelmuar.
Sipas burimeve nga spitali rajonal, gruaja ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi sasia e kimikateve që ka pirë ka qenë e madhe dhe ka mbërritur me vonesë në spital. Analizat e para tregojnë se ajo ka pirë preparat që përdoret për spërkatjen e hardhive.
“Gruaja është sjellë në spital nga një i afërm i familjes”- thanë mjekët, ndërkohë që policia nuk jep ndonjë version zyrtar rreth shkaqeve të këtij vetëhelmimi.
Nga hetimet paraprake rezulton se gruaja vuante prej vitesh nga një sëmundje depresioni nervor, ç’ka mendohet të jetë një arsye e tentativës vetëvrasëse.