Presidenti i ri, në pritje të takimit Berisha-Rama 2
Negociatat për Presidentin do të mbledhin në një takim për të dytën herë kreun e mazhorancës Sali Berisha dhe atë të opozitës Edi Rama. Dy liderët e partive kryesore në vend do të takohen sonte në orën 19:00 te Kryesia e Kuvendit.
Formati i takimit të sotëm, ndryshe nga ai i takimit të parë do të ketë dhe Ilir Metën si pjesë të tryezës, ndërsa kreu i PS-së Rama do të shoqërohet nga Gramoz Ruçi dhe kryeministri Berisha nga Astrit Patozi. Sot është takimi që ndoshta do të përcaktojë nëse Presidenti do të zgjidhet me më shumë se 84 vota, apo me 71 vota.
Kryeministri Berisha do të takohet në 18:30 po në Kryesinë e Kuvendit me aleatët e tij të koalicionit qeverisës, për të diskutuar në lidhje me një kandidat për postin e kreut të ri të shtetit.
Pritshmëritë e tryezës së dytë të bisedimeve PD-PS kësaj here janë të mëdha për gjetjen e një konsensusi mes palëve, nisur dhe nga tërheqja e dy ditëve më parë nga gara të Xhezair Zaganjorit, kandidaturë kjo e kontestuar nga kryesocialisti Rama.
Në përpjekjen e dytë mes Ramës dhe Berishës do të shohim nëse takimi i sotëm do të nxjerrë një produkt konkret dhe të pranuar nga palët, jashtë bisedave teorike rreth modaliteteve dhe procedurave.
Më herët kreu i PS, Rama në një konferencë për shtyp deklaroi se mundësia për konsensus për t`i dhënë vendit një president konsensual është shumë afër, duke konfirmuar gatishmërinë për të pranuar çdo ftesë për dialog e negociata për të zgjedhur në mënyrë konsensuale presidentin e ardhshëm.
Nga ana tjetër edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është shprehur optimist që të hënën mund të kemi një president të ri, mundësisht me konsensus.
Ditën e hënë pritet që të zhvillohet edhe raundi i katërt dhe i parafundit për votimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.