E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja e Shkrimtarëve kundër Akademisë

Megjithëse Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës funksionon si një organizatë joqeveritare, kryesia e saj nuk përton të diskutojë për probleme të ndryshme, madje edhe për ato probleme që nuk i takojnë. Në mbledhjen e saj të fundit, temë e diskutimit nuk kanë qenë problemet me të cilat ballafaqohet kjo lidhje apo problemet e shkrimtarëve, por ata janë marrë me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, drejt se cilës kanë hedhur një varg akuzash për, siç thonë ata, politizim të skajshëm të akademisë.

Në një kumtesë të nënshkruar nga kryetari i LSHK-së Adem Demaçi, thuhet se kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës konstaton se përkatësia partiake është bërë kriter për pranimin dhe për dhënien e titujve shkencorë në institucionet shkencore, gjë që ka sjellë dhe vazhdon të sjellë deformime të tjera në veprimtarinë e tyre shkencore, kulturore dhe shoqërore.

Duke i hedhur shigjetat drejt ASHAK-së, të cilën e akuzon si institucion njëpartiak, kryesia e LSHK-së pohon se gati të gjithë funksionarët më të lartë të LDK-së janë bërë anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, kurse, po sipas kësaj kryesie, prej 9 anëtarëve të sotëm të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë 7 janë anëtarë të LDK-së, ndërsa 5 prej tyre anëtarë të djeshëm apo edhe të sotëm të Kryesisë ose të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës konstaton se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është e drejtuar vetëm prej anëtarëve, shpesh, madje, vetëm prej funksionarëve të një partie të LDK-së! Për të qenë edhe më tragjikomike, më e papranueshme dhe më e palejueshme udhëheqja e saj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës drejtohet prej një grupi partiakolokal! Kështu, fjala vjen, qe 17 vjet në krye të Akademisë e ndërrojnë njëritjetrin një kimist e tre gjuhëtarë, kurse në Kryesi u asistojnë fqinjë të vendlindjes e të partisë!, thuhet në kumtesën e kryesisë së LSHK-së.

Sipas kësaj kryesie, udhëheqja e Akademisë ka shkelur dhe vazhdon të shkelë procedurat elementare demokratike gjatë zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Akademisë. E shkurton afatin e zgjedhjes në dy vjet kur do të shtojë numrin e bashkëpartiakëve të vet dhe e zgjat në katër vjet kur do të shtyjë pranimin e të tjerëve. Për të siguruar që të pranohen vetëm bashkëpartiakët e saj dhe të pengohet pranimi i të tjerëve, kjo udhëheqje e ka bërë Seksionin organ i cili, në vend se Kuvendi i Akademisë, vendos kush do të pranohet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, çka nuk ndodh në asnjë akademi në Evropë!, thuhet po aty.

Në anën tjetër, Akademik Mehmet Kraja, i cili është udhëheqës i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në ASHAK, këto pohime i konsideron të pavërteta.

Ai thotë se së pari nuk e di ku është Lidhja e Shkrimtarëve, ku funksionon dhe me çka merret ajo.

Unë më së pari së kam të qartë a ekziston një Lidhje e Shkrimtarëve në Kosovë apo jo dhe me çka merret ajo. Është më normale që ajo të merret me punët e veta sesa të merret me Akademinë, shprehet Kraja.

Duke mos dashur të deklarohet në emër të Akademisë, Kraja thotë se sa i përket seksionit që ai e udhëheq asnjë prej anëtarëve të këtij seksioni nuk është udhëheqës i ndonjë forumi politik apo partiak.

Ne kemi në seksionin tonë njerëz që kanë qenë themelues të LDK-së, por ajo ska lidhje. Themelues ka mundur të jetë secili prej tyre, pse a ne duhet tua shkurtojmë biografitë, a duhet tua ndërpresim kontinuitetin jetësor për shkak se dikujt si pëlqen kjo. Ata kanë qenë njerëz publik dhe është krejt normale se ata kanë mundur të jenë të angazhuar diku dhe kjo fare ska rëndësi, nuk ka të bëjë me Akademinë as me seksionin, thotë Kraja.

Ai shton se në ligjin për akademinë nuk thuhet se anëtarët e saj nuk duhet të jenë të përfshirë në politikë, ndonëse në pikëpamje morale më shumë sesa në pikëpamje ligjore, sipas tij, do të ishte mirë të shihej nëse persona të caktuar që janë anëtarë të akademisë, pra do të ishte mirë të shihej nëse këta persona do të ishte e pëlqyeshme dhe morale që gjatë periudhës së angazhimeve politike që kanë jashtë akademisë ta pezullojnë aktivitetin e tyre në akademi. Por, këtë çështje, sipas Krajës, nuk e zgjidh Lidhja e Shkrimtarëve. Ai tha se kjo është më së paku punë e LSHK-së.

Kraja shtoi se problemi nuk është nëse ka apo ska njerëz në politikë që janë nga akademia. Sipas tij, problemi duhet parë ndryshe. A duhet që anëtarët e akademisë, dhe kjo është një dilemë që unë e shtroj, në periudhën që e ushtrojnë një funksion politik ta pezullojnë përkohësisht aktivitetin e tyre në akademi? Kjo çështje duhet shtruar në këtë formë, pra ndonjë anëtar i akademisë gjatë kohës që ushtron ndonjë funksion politik do parë nëse është më mirë apo është më oportune që ta pezullojë aktivitetin e vet në akademi. Kjo është çështje që duhet shtruar, pohon Kraja, duke shtuar se anëtarët e Seksionit të cilin ai e udhëheq mund të kenë qenë të përfshirë në LDK në periudhën e formimit të LDK-së por tani nuk janë më.

Këtë problem ai e shtron në një aspekt tjetër. Ai i shtron disa pyetje në drejtim të LSHK-së. Çi hynë në punë Lidhjes së Shkrimtarëve kjo çështje? Pse nuk merret ajo me punët e letërsisë dhe me punët e organizimeve të veta? Nga e merr të drejtën Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, që nuk e di a është diku a sështë, që të merret me punët e Akademisë? Ky është institucion dhe me të merren institucionet e shtetit dhe jo një shoqatë e shkrimtarëve, tha Kraja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›