Lidhja e pamundur, helmohen me fostoksinë dy të rinjtë
DURRES/ Djali 21-vjeçar i martuar me fëmijë, vajza e divorcuar.
Një ngjarje e rrallë vuri në rrezik jetën e dy të rinjve që kishin një marrëdhënie të fshehtë jashtëmartesore në Durrës. Djali 21-vjeçar, i martuar herët dhe madje baba i një fëmije, piu lëndë helmuese, fostoksinë pasi të afërmit e vajzës 24-vjeçare refuzuan lidhjen e tyre. Kjo e fundit, pasi konstatoi se i dashuri i saj kishte pirë fostoksinë, tentoi ta ndihmonte atë me frymëmarrje artificiale. Por, ajo përfundoi në spital e helmuar bashkë me të riun, me inicialet G.N. Rreth orës 15:00 të së mërkurës, shtetasi G.N. ka pirë një sasi pluhuri që dyshohet të jetë lëndë helmuese e llojit fostoksinë. Shtetasja D.B., e cila ka tentuar ti japë ndihmën e parë duke i bërë frymëmarrje artificiale, ka mbetur gjithashtu e dëmtuar. Të dy këta persona ndodhen nën trajtim mjekësor në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën, bëri të ditur Policia. Mësohet se 21- vjeçari me origjinë nga Tropoja ishte njohur me anë të telefonit me 24-vjeçaren nga Hasi, e cila ishte divorcuar nga i shoqi disa kohë më parë. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore nga helmimi me fostoksinë, grupi hetimor nuk ka arritur të marrë shumë të dhëna nga dëshmitë e tyre në spital, për të ndërtuar edhe skemën e ngjarjes. Por paraprakisht, bazuar në dëshmitë e tyre, është mësuar se ata ishin njohur disa kohë më parë. Ende nuk dihet se në çrrethana janë takuar në Durrës. 21-vjeçari ka deklaruar se kishte ardhur nga Tropoja rreth 2 javë më parë dhe banonte në një banesë me qira në lagjen Nr.14, por nuk ka të dhëna nëse ishte shpërngulur i vetëm apo me familjen e tij. Ai ka shkuar dhe i ka kërkuar dorën vajzës me origjinë nga Hasi, por familja e saj e ka refuzuar kërkesën. Nuk konfirmohet nëse refuzimi ishte rrjedhojë e faktit se i riu ishte i martuar dhe me fëmijë apo për shkaqe të tjera. Duke menduar se lidhja kishte marrë fund, ai ka tentuar ti japë fund jetës, duke pirë fostoksinë. Dyshohet se në banesën e tij me qira është ndodhur edhe e dashura, e cila në tentativë për ti shpëtuar jetën me frymëmarrje artificiale, përfundoi edhe vetë në spital e helmuar.
Vetëhelmimi i studentëve
Më 10 maj të këtij viti, studenti 22-vjeçar me origjinë nga Dibra, Abdulla Cenga, u gjet u vetëvarur në ballkonin e banesës ku jetonte me qira. Tri ditë më pas, e dashura e tij, studente e ekonomikut, Manushaqe Margjeka, me origjinë nga Tropoja, u vetëvar në zonën e Kodër-Vilës në Durrës. Dyshohet se të rinjtë i dhanë fund jetës pasi familja e djalit kishte refuzuar fejesën e tyre.
LUSHNJE
Një 49-vjeçar nga fshati Bishqethem i Lushnjës humbi jetën pasi u vetëhelmua. Policia e Fierit bëri të ditur se ngjarja ndodhi të mërkurën kur shtetasi me iniciale D.V., në kushtet e depresionit është vetëhelmuar me fostoksinë. Blutë konfirmuan se familjarët e kanë çuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, por me gjithë ndihmën e dhënë ai nuk ka mundur të mbijetojë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ