Lidhja me Prudentinon, Bregu ikën nga Kuvendi
Lidhja e ministres shqiptare të Integrimit, Majlinda Bregu me mafiozin italian që sapo është dërguar në gjyq, Prudentino, është bërë dje qendër e bisedës në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Bregu ndodhej dje në komision për të raportuar, por deputeti Tauland Balla hyri në sallë duke mbajtur në dorë një IPAD, në të cilin lexonte lajmin. Pjesa që tregonte për transferimin e aksioneve të familjes së bosit mafioz tek kunetërit e Majlinda Bregut duket se ka nervozuar edhe më shumë ministren.
Ju zonja ministre jeni e fotografuar personalisht si drejtuese e institucionit tuaj dhe ministrisë tuaj në raportin e OSBE/ODIHR ku thuhet qartë se punonjësve të administratës civile në një ministri në Tiranë iu kërkua nga departamenti i Burimeve Njerëzore të marrin pjesë në mitingjet e PD-së dhe pjesëmarrja e tyre u kontrollua. Nëse doni ju personalisht të ndihmoni në procesin e integrimit europian dhe në adresimin e prioriteteve që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, bëni mirë të rishikoni pozicionin tuaj në drejtimin e ministrisë së Integrimit sepse e dëmtoni këtë aspiratë historike të shqiptarëve, i tha Balla.
Por Bregu i është përgjigjur me një video të Taulant Ballës fëmijë që këndonte në një festival folkloristik. Ti zotëri ke kënduar këngët për xhaxhin Enver kur xhaxhi Enver kishte vdekur. Nuk pret njeri që të bësh hajër e të japësh kontribut në procesin e integrimit të vendit, replikoi Bregu. Ajo akuzoi opozitën për bojkotin duke thënë se nëse opozita nuk do të votojë ligjet që duan shumicë të cilësuar, atëherë vendi rrezikon të marrë vlerësim negativ nga BE. Ju e keni ndarë mendjen për të mos votuar që të keni mundësi më 12 tetor të thoni ne erdhëm në parlament, iu bashkuam juve që do të thotë që ishim të gatshëm për të kontribuuar, por ja përsëri Shqipëria nuk u vlerësua pozitivisht, që do të thotë që faji nuk është i opozitës, por i maxhorancës, u shpreh Bregu.
Edhe pse deputeti Balla tentoi që të replikonte me ministren, kjo e fundit nuk pranoi të diskutonte duke u larguar nga mbledhja me justifikimin se kishte një në axhendën e saj një takim të rëndësishëm pune. Por në të vërtetë Bregu u largua pasi gjatë të gjithë debatit, Balla mbante në dorë kopertinën e shkrimit për lidhjet e Bregut me mafian italiane dhe ia tregonte ministres sa herë që fliste. Largimi i Bregut nga salla ka shtuar debatet mes anëtarëve të të dy forcave politike, por vetëm kaq pasi mbledhja është mbyllur pa u diskutuar asnjë detaj tjetër.