Topi anulon vizitën në OKB për ti hapur rrugë Berishës
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është detyruar të anulojë vizitën e tij në OKB për të mos u konfliktuar sërish me kryeministrin Berisha. Dikur dy miq shumë të mirë, sot Topi dhe Berisha duke se nuk mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për asgjë dhe për shkak të nevojës së kryeministrit për të rregulluar imazhin në SHBA, Presidenti është detyruar që ti hapë rrugë.
Burime pranë presidencës pohuan dje se kreu i shtetit, edhe pse kishte planifikuar që të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila i hap punimet e saj nesër, ka vendosur ta anulojë vizitën. Stafi i presidentit kishte përgatitur gjithçka, madje, burime pranë presidencës pohuan se ishin prerë edhe biletat e avionëve, por në fund gjithçka ishte kthyer mbrapsht. Nga ana e tij, kryeministri Berisha ishte nisur drejt OKB-së katër ditë më parë duke mos i lënë zgjidhje tjetër kreut të shtetit.
Në rast se edhe Presidenti Topi do të udhëtonte drejt OKB-së, dy personalitetet duhet të përplaseshin me doemos. Ftesa e OKB-së nuk përcakton se kush do ta përfaqësojë një vend dhe kjo lë vend si për kryeministrin, ashtu edhe për presidentin. Kjo është bërë në këtë formë për shkak se vende të ndryshme kanë protokolle të ndryshme. Por ajo që nuk ndryshon është fakti që nëse presidenti i një vendi ndodhet në OKB, ai do të jetë përfaqësuesi ndërsa kryeministri del në rang të dytë.
Në rastin tonë, kryeministri Berisha ka kërkuar që të ishte ai përfaqësuesi dhe Presidenti është tërhequr. Zyrtarisht Presidenca nuk e ka komentuar këtë fakt dhe është mjaftuar me shpjegimin se kreu i shtetit nuk do të marrë pjesë në Sesionin e 66-të i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Burimet shpjeguan se ky udhëtim në OKB është tepër i rëndësishëm për kryeministrin Berisha, të cilit i nevojiten disa takime të nivelit të lartë, kryesisht me zyrtarët amerikanë. Në këtë ngjarje të përvitshme, drejtuesit e shteteve jo vetëm kanë mundësi të marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët, por mund të zhvillojnë takime të ndryshime mes njëri tjetrit dhe po kështu me politikanët e rëndësishëm amerikanë. Dhe pikërisht pjesa e dytë është më e rëndësishmja. Por nëse Presidenti ulej në vendin ku shkruhet Shqipëria, atëherë kryeministrit i mbetej pak vend për takimet e rëndësishme.
Burime pranë kryeministrit Berisha pohuan se ai do të shfrytëzojë çdo rast që do i paraqitet për të treguar se marrëdhëniet e tij me SHBA-në janë në lulëzim e sipër, pavarësisht se çfarë është zbuluar gjatë ditëve të fundit në kabllogramet mes Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Uashingtonit.
Një ndër synimet e kryeministrit Berisha, synim i të gjithë politikanëve shqiptarë që u bie rasti të shkojnë në SHBA, është një takim disa sekonda me presidentin amerikan, Barak Obama. Për këtë takim është lobuar muaj më parë dhe dërgimi i një fotoje përkrah presidentit Obama, e cila do të publikohet në media është kulmi i vizitës së politikanëve tanë në SHBA. Kjo vizitë në OKB do të jetë me shumë rëndësi edhe për ministrin e Jashtëm, Edmon Haxhinasto, i cili do të ketë mundësinë të zhvillojnë takime me homologë botërorë
Sesioni i 66-të
Sesioni i 66-të i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të hapet ditën e mërkurë, më datë 21 shtator. Çelja e këtij sesionit do të bëhet në orën 8:00 të orës lokale ose 15:00 me orën e Shqipërisë. Mbledhja e shumëpritur, e cila do të diskutojë një sërë çështjesh të rëndësishme do të nisë me fjalimin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Ky i fundit, nga selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, do ti drejtojë dhe mesazhin e kësaj organizate për 139 vendet anëtare dhe përfaqësuesve të tyre të cilët do të jenë të pranishëm. Diskutimet në Asamblenë e Përgjithshme do të vijojnë deri në mesnatë.
Diskutimet në OKB
Krerët e delegacioneve të 139 vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mbajnë fjalën e tyre përpara zyrtarëve të lartë të shteteve nga e gjitha bota. Sipas axhendës së publikuar në faqen zyrtare të internetit të kësaj organizate, çdo përfaqësues i një delegacioni do të mbajë fjalimin e tij për 15 minuta. Ende nuk është zbardhur lista që do të përcaktojë radhën e krerëve të delegacioneve. Mësohet se mesazhin drejtuar shteteve të tjera të botës do ta dërgojë përmes fjalës së tij kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.
Mbështetje Palestinës
Një prej tema kryesore që do të jenë pjesë e diskutimit të sesionit të 66-të të OKB-së do të jetë dhe situata në Palestinë. Pak ditë më parë, kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto, ka pritur ambasadorin e shtetit të Palestinës, Issam Massalha, të cili i ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë. Vendi ynë ka garantuar mbështetje ndaj këtij vendi për çdo veprim dhe aksion diplomatiko-politik që do ti shërbejë në mënyrë efikase dhe realisht arritjes së paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Të njëjtën mbështetje pritet të japë dhe shteti ynë fqinjë i Kosovës.
7
Ditë do të zgjasë mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, krerët e lartë të shteteve nga e gjithë bota do të marrin pjesë në biznese të ndryshme dhe sipërmarrje amerikane. Gjithashtu, Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, ka marrë masa për pritjen e delegacioneve pjesëmarrëse.
Berisha-Topi, nga 21 janari tek 8 maji
Viti 2011 është më i vështiri i marrëdhënieve mes kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi. Dikur ata ishin miq të mirë dhe kryetar e nënkryetar i PD-së, por insistimi i Topit për tu zgjedhur president solli edhe krisjen e parë. Berisha u detyrua që ti jepte numrit 2 të PD-së bekimin për presidencë dhe më pas kërkoi që ai ti shërbente. Kur Presidenti refuzoi disa nga kërkesat, Berisha nuk nguroi dhe e shpalli armik. Që në fillim të këtij viti kryeministri nisi sulmin më të ashpër ndaj Presidentit duke e akuzuar si i përfshirë në ngjarjet e 21 janarit. Duke e sulmuar haptazi në çdo rast, Berisha përdori çdo lloj fjalori ndaj kreut të shtetit dhe Prokurores së Përgjithshme. Ky sulm dha efektin e tij pasi si prokuroria, ashtu edhe presidenti, u detyruan ti hapnin rrugë kryeministrit. Pranvera u duk e qetë dhe kryeministri u mor kryesisht me fushatën elektorale, duke e harruar Presidentin. Por pas zgjedhje të 8 majit, Berisha kërkoi mbështetjen e Topit në ndryshimin në tavolinë të rezultatit për Tiranën. Kur nuk e gjeti këtë mbështetje rinisi sulmet. Këtë herë sulmet arritën deri sa u publikua një video ku dukej se Presidenti kishte votuar në kutinë e gabuar. Më pas u hap ajo kuti dhe vota e vetme që u gjet ishte për Edi Ramën. Kaq mjaftoi dhe Berisha nisi sulmin ndaj Topit me moton: I ke falur shpirtin Edi Ramës. Kohët e fundit kryeministri ka preferuar që të zërë vendin e parë edhe në përurimet ushtarake, një kompetencë kjo e Presidentit me statusin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Pothuajse të gjitha sulmet e Berishës ndaj Presidentit kanë ardhur në momentin kur kreu i shtetit duhet të shprehej për çështje të caktuara. Dhe në të gjitha rastet, sulmet e Berishës kanë bërë që Presidenti ose të heshtë, ose të shprehet në favorin e tij.
Topi anulon vizitën në OKB për ti hapur rrugë Berishës
