E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhjet në Tiranë për shoferin e ambasadës që u kap me drogë

Antena brenda familjes

Një shofer i ambasadës sonë në Romë u kap me një kilogram drogë në një autostradë të Italisë dhe u përpoq, sipas policisë italiane, të mbrohej në minutat e fundit me kartën e diplomatit. Pas disa formalitetesh policore, shoferi është arrestuar së bashku me shoqëruesen e tij. Emri i tij është Arsen Selmanllari. “Antena” u interesua menjëherë pranë Ministrisë së Jashtme për të mësuar se kush është ky njeri dhe kush e ka emëruar në atë detyrë. Nga hetimet e para formale del se është emëruar në kohën që në Ministri të Jashtme ka qenë zoti Mustafaj. Nuk rezulton të jetë ndonjë militant i PD, por një njeri për të cilin ka ndërhyrë, sipas burimeve nga Ministria e Jashtme, një biznesmen që ka një kafe te “Blloku”, në të cilën zoti Mustafaj ka bërë fushatën elektorale në vitin 2003. Më tej askush nuk jep detaje. Frika se “Antena” mund të nxjerrë ndonjë gjë me zarar e ka bërë punën e saj. Për më tepër që e kemi tepruar pak dhe me ministrin e Jashtëm, Basha, dhe tani që ai na del pa faj në emërimin e këtij shoferi, ka të drejtë mos të na tregojë asgjë.

Por, për fat, miku ynë Flamur është i gatshëm në këto raste. Sapo ia thamë lajmin, Flamuri u skuq i tëri në fytyrë nga inati dhe shpërtheu.

- E ka bërë ai plehi, - tha. - Besniku e ka bërë. E di pse e ka bërë. Sa herë i jam lutur për militantë të PD, asnjë s’më ka marrë në punë. Më thoshte ai burri, më bënte forward mesazhet e militantëve dhe unë ia çoja Besnikut. Asnjë s’më merrte në punë. Se të gjithë donin o roje, o shoferë, se s’kishin shkollë. Po ai s’dëgjonte. Këtë e mori menjëherë. E mbaj mend dhe arsyetimin. Tha që “ia kam borxh filanit, se ka hap kafen për mua, kur bëra fushatë më 2003”. Ia pranova si arsyetim. Nuk ishte militant i PD, po mik i militantit të PD. Po sa herë i thosha më pas për dikë tjetër, më thoshte “kemi atë, s’e heqim dot”. Pastaj doli që e kishte të vetin ai biznesmeni. Varja, u bë lëmsh kjo punë o mixhë.

- D.m.th., ti thua që Lul Basha nuk ka gisht në këtë punë?

- Luli nuk ka gisht. Luli ka dash ta heqë, se do çojë kuanti i tij një njeriun e vet. Dhe më duket e kishte hequr, kishte nja tri ditë. Madje, ishte nxehur dhe ai i zoti i lokalit, se ai e ka shok të ngushtë Shkëlzenin, djalin e atij burrit. Tha “do bëj namin”. Po në fakt nuk bëri gjë, se Luli e hoqi. Dhe duket që ia fusin kot, se as Shkëlzeni s’e çau kokën. Ja kështu dalin të gjithë këta që nuk i çojmë nga partia ne. Ata që kam çuar unë, janë të gjithë korrektë. Po ç’kam çuar, as dy tri shoferë gjithsej. Të gjithë i kanë çuar me miqësi këta. Ja dhe ky njësoj bën.

- Do merrni ndonjë masë si parti për këta shoferët e emëruar pa leje apo është vonë?

- Tani është vonë, o mixhë. Dhe të çosh nga militantët e PD tani, nuk të venë, se thonë “dhe gjysmë viti jemi në pushtet”. Na morën më qafë, na morën. Janë njerëzit rrugëve të mërzitur të gjithë. Ju talleni me mua pse e mbaj mbyllur PD. Nuk e mbaj vetëm nga këta shkërdh... që duan të kthehen në PD. Se ata kanë punë me atë burrin. Po militantëve ç’t’iu bëj? Kanë tri vjet kërkojnë punë, punë s’ka. Këta çojnë miqtë e tyre për punëra. Duan të ankohen, s’kanë ku ankohen. Bëj sikur bërtas unë, po s’më pyet njeri. Mirë që më pyet ndonjëherë ai burri.

- Tani që do fillojnë zgjedhjet, keni ndërmend ta rregulloni këtë çështje?

- Si ta rregullojmë, o mixhë. Se mos është një e dy. Janë të gjithë rrugëve. Po s’ia mban njeriu të flasë. Sa hapi gojën njëherë ajo gruaja, desh ia mbylli gojën për fare ai burri. Dhe unë bëj sikur s’dëgjoj gjë. ǒmë duhet mua. Jam bërë hasëm me gjithë dynjanë. Më mirë kyç derën e PD dhe iki.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›