Me OSBE nuk mund të përdoret politika e kulaçit e kërbaçit
Roli i këtyre institucioneve monitoruese dhe investiguese, si në rastin e OSBE, ka qenë dhe vazhdon të jetë i rëndësishëm në të gjithë zhvillimet në ish-Lindjen komuniste dhe në zhvillimet gjeopolitike në rajon.
Ishte qesharake para disa vitesh, kur individë të papërgjegjshëm filluan ta konsiderojnë OSBE të majtë apo të djathtë, kur shumica e drejtuesve kanë qenë njerëz me karrierë politike dhe ish-profesorë universiteti, ose thirrjet po të papërgjegjshme e qesharake të ndonjë politikani karrierist për largimin e këtyre institucioneve.
Por historia politike e këtij vendi dhe këtij rajoni tregon komplet të kundërtën.
Pasionet e ndonjë politikani apo politikaneje që nuk ia zbehin rolin shumë të rëndësishëm këtyre institucioneve, që e shikojnë politikën në një koncept ndryshe.
OSBE është një institucion shumë i rëndësishëm me projekte të qarta, monitorues, tashti projekt, i cili është shumë i domosdoshëm për institucionet tona demokratike që vazhdojnë të jenë të brishta, ndarjen e pushteteve, respektimin e ligjit, zgjedhjet e lira, në demokraci e shtet ligjor si ky i yni, ku individë të caktuar, politikanë e politikane, duan ta përdorin si “grup seksioni i fshatit” prej nga kanë dalë deputetë apo “organizatë grash”.
Madje, jam i bindur se këta zotërinj e zonjusha e dinë mirë rolin e rëndësishëm të saj, por për qëllime mediatike dhe për t’ia mbushur mendjen elektoratit të “lagjes” se sa të fortë janë, e “kundërshtojnë” nganjëherë misionin e Prezencës dhe në takime kokë më kokë ia hedhin fajin ndonjë kolegu të tyre “gjaknxehtë” partiak, duke luajtur rolin e “viktimës”.
Situata e re gjeopolitike e brishtë në rajon, veriu i Kosovës, stabiliteti i brishtë në Kosove, çështja e emrit të Maqedonisë, kontradiktat tona të brendshme institucionale, parregullsitë zgjedhore, Kodi Zgjedhor (kujtoj këtu vërejtjet e forta për zgjedhjet lokale të fundit të KE), korrupsioni, trafiqet vendore e rajonale, e bëjnë të domosdoshme prezencën e OSBE në vendin tonë dhe në ato të rajonit tonë, që së bashku me ndonjë institucion tjetër monitorues dhe investigues, mendoj se duhet të jenë në Shqipëri dhe rajon dhe në fakt do të jenë deri në vitin 2015-2017, vit i përafërt i anëtarësimit tonë në BE dhe mbi të gjitha vite të krijimit të stabilitetit gjeopolitik në rajon.
OSBE nuk e lidh qëndrimin e funksionimin e saj me “tekat” e ndonjërit prej politikanëve e politikaneve tona egoistë e pa ide, po me statusin e saj jo të shkurtër në këtë rajon e në vendin tonë e që ka politika largpamëse e jo emocionale.
Iniciativat e misionit të Prezencës në vendin tonë duhen përshëndetur, se janë në favor të zhvillimit e integrimit tonë, sidomos ato të fushës së arsimit, por më duket paradoksale bashkëpunimi me ndonjë institucion që ka status krejt tjetër, kur ky vend ka një qeveri legjitime dhe ministritë përkatëse, dhe ministrat përkatës, në rastin tonë, siç është p.sh., Ministria e Arsimit.
Madje, do t’i kisha kërkuar OSBE dhe zotit Bosch publikisht, që ta monitoronte dhe dhënien e bursave për studentët shqiptarë në kolegjin e Bryzhit, që ato të mos shkojnë për fëmijët e kushërinjve e fëmijët e “grupseksionit” të ndonjë politikani tonë, për t’i përdorur për qëllime elektorale, por t’i marrin studentët më të mirë, pasi shumica e politikanëve tanë me drejtë ose pa të drejtë i kanë rregulluar fëmijët e tyre, të cilët studiojnë në shkollat elitare dhe nuk dihet se kush i paguan e subvencionon, madje ndonjëri prej fëmijëve të politikanëve ka edhe nivel e mesatare të ulët. Bashkëpunimi me ministritë përkatëse pengon gjithashtu tendencën e politikës dhe klaneve të caktuara për ta përdorur politikën e “kulaçit e kërbaçit” vetëm për qëllime krejtësisht personale, egoiste e familjare. Duke përshëndetur nismat e OSBE për zhvillimin e stabilitetin politik dhe paritetin e zgjedhjeve të lira e demokratike, Kodin Zgjedhor, prania e saj është e domosdoshme, që së bashku me ambasadat e vendeve të fuqishme partnere ndikojnë në krijimin e një klime pozitive në vend me rregulla loje, mbasi ky vend, siç ka patur, ka dhe do të ketë grupe dhe individë që nuk iu intereson shteti ligjor dhe zhvillimi i demokracisë, por iu intereson egoja e tyre e shfrenuar për pushtet dhe klani e grupi shoqëror ku bëjnë pjesë, duke bërë sikur nuk “përfillin” edhe ata që e kanë shpikur demokracinë dhe shtetin e së drejtës në momente të caktuara.
Iku koha, kur “gënjeheshim”, me parulla si p.sh., “Nano, komunist”, dhe etiketimit të ndonjë ambasadori të majtë apo të djathtë!