E Diel, 1 Nëntor 2026

Lidington- Berisha: Partitë të zbatojnë ligjet Plotësoni kriteret e KE

LONDER- Në axhendën e takimeve që Ministri për Evropën të Mbretërisë së Bashkuar zotin David Lidington kishte sot në Tiranë ishte dhe ajo me kryeministrin Berisha.

Gjatë takimit është diskutuar dhe për procesin zgjedhor të 8 majit, të cilat nga kryeministri Berisha u vlerësuan si më të mirat dhe transparentet. Shefi i kabinetit qeveritar i shprehu gjithashtu dhe vendosmërinë për garantimin e barazisë së votës dhe numërimit të drejtë të cdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë.

“Vetë rezultati i ngushtë me të cilin kandidati i Partisë Demokratike fitoi Bashkinë e Tiranës, ishte një test shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm për funksionimin e drejtë të procesit ligjor dhe profesionalizmin e institucioneve të mandatuara për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve.”

Nga ana e ministrit britanik për Europën, David Lidington dha mbështetjen e tij të plotë të parimit “që cdo votë duhet numëruar” dhe theksoi se “në përfundim të procesit zgjedhor palët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike në Parlament dhe organet e tjera të zgjedhura.”

“Roli i vërtetë opozitës është në institucione dhe jo në rrugë.”- ka nënvizuar zyrtari i lartë britanik, David Lidington bëhet e ditur nga zyra e shtypit pranë kryeministrisë. 

Në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Ministri Lidington e siguroi kryeministrin se Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse kryesore dhe e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perendimor dhe në mënyrë të vecantë e antarësimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoi se “plotësimi i kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian e bëjnë procesin e antarësimit të besueshëm dhe solid.”

Ministri britanik ka marrë garancitë se “qeveria shqiptare po punon me angazhim maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria ka në kuadrin e integrimit në BE. Ai nënvizoi që për të dhe qeverinë e tij ky proces bazohet në performancë dhe meritë.”
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›