E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidington: Kosova, kusht për integrimin e Serbisë në BE

Procesi i integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian mund të bëhet vetëm në rast se ky shtet do të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Kosovës. Kështu ka deklaruar ministri për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, ndërsa është e nevojshme që të ketë rezultate konkrete nga dialogu teknik mes Kosovës dhe Serbisë.
 

Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në Luksemburg, ministri britanik ka shprehur përkrahjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për shtetndërtimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në aspektin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
 

Lidington ka thënë se qeveria britanike do të angazhohet fuqishëm brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, për përmbylljen e suksesshëm të procesit të njohjes së Kosovës. Ai është zotuar për ndihmë konkrete edhe në avancimin e aspekteve të tjera të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë pjesëmarrjen në nisma dhe anëtarësimin e plotë në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
 

“Ne do të mbështesim Republikën e Kosovës që të ketë sa më shumë njohje dhe të jetë pjesë e nismave rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë Lidington.
 

Ministri Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në punimet e Forumit për Ballkanin Perëndimor në Luksemburg, ku është ftuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, po zhvillon takime të frytshme me shumë ministra të Jashtëm të vendeve të BE-së, të vendeve të rajonit dhe përfaqësues të tjerë të lartë evropianë, të pranishëm në këtë forum.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›