E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikon te shembet. Muri kinez kercenohet nga germimet

Nën gjëmimin e minave po shembet Muri i Madh Kinez. Pjesë të monumentit gjigand po dëmtohen ditë pas dite për shkak të  shpërthimeve që kryhen në kodrat përreth në gërmimet për barkër, hekur dhe nikel. Në disa pjesë madje, rrëzë murit ka edhe gërmime që shkojnë deri në 100 metra thellësi.

Aktivistët e trashëgimisë kulturore kanë lëshuar ndërkaq alarmin se viktimë e zhvillimit të Kinës po bie edhe ky monument, ndër më të rëndësishmit në vend. “Një pjesë e mirë e shpërthimeve janë lejuar nga autoritetet kineze, por një mori tjetër janë të paligjshme”, bën të ditur zv/presidenti i Shoqatës të  Murit të Madh, Dong Yaohui. Sipas tij, vetëm 20 përqind e Murit të Madh është në gjendje të mirë, ndërsa më tepër se 70 përqind e tij përballet ditë pas dite me rrënimin.

Kjo nuk është hera e parë që ekzistenca e murit gjigand vihet në rrezik. Gjatë luftës me Japoninë në vitet 1937-1945, pjesë të mëdha të murit u shkatërruan nga bombat, ndërsa në vitet ’50-‘60 banorë të zonës vidhnin pjesë të tij për t’i përdorur në ndërtimin e banesave dhe shtrimin e rrugëve.

I votuar si një ndër 7 mrekullitë e botës, Muri i Madh me një gjatësi prej 6400 kilometrash, përshkon 11 provinca kineze dhe tërheq çdo vit miliona turistë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›