E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga e Evropes dominojne skuadrat iberike

Çerekfinalet e para të Ligës së Evropës janë luajtur nën shenjën e skuadrave portugeze dhe spanjolle, të cilat kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt raundit tjetër të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në futbollin evropian. Vijareal duket se ka siguruar që në ndeshjen e parë biletën për në gjysmëfinale pasi ka mundur thellësisht 4-1 Tvente.

Gjithçka e lehtë për skuadrën spanjolle, e cila ka mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë falë avantazhit të trefishtë me Markena, Valero e Nilmar. Në fraksionin e dytë, Rosi do të vuloste suksesin e Vijareal, përpara se hollandezët të shënonin golin e nderit me Janko. Me të njëjtin rezultat ka fituar Benfika, e cila kalon lehtësisht PSV Eindhoven dhe e sheh veten shumë pranë gjysmëfinaleve të Ligës së Evropës.

Pjesa e parë e takimit do të mbyllej me avantazhin 2-0 të vendasve pas golave të Aimar e Savio. Ky i fundit do të trefishonte rezultatin në fillimin e pjesës së dytë, përpara se Labiadz të ngushtonte shifrat me Labiadz. Fitorja e Benfikës do të mbyllej përfundimisht me argjentinasin tjetër Saviola, i cili do të thellonte sërish shifrat në 4-1. Sukses i rëndësishëm edhe për Porton.

Kampionët e parakohshëm të Portugalisë kanë shkatërruar 5-1 Spartakun e Moskës, ndërsa heroi i mbrëmjes ka qenë Falkao, autor i tre golave në këtë sfidë. Ndeshje e vetme e hapur mbetet ajo mes Dinamos së Kievit dhe Braga. Me dhjetë lojtarë që nga minutat e para pas daljes me karton të kuq të Shevçenko, ukrainasit kanë barazuar 1-1 kundër portugezëve që janë më të favorizuar për ndeshjen e kthimit.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›