E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga favorizon Barcelonën

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka akuzuar autoritetet e Ligës spanjolle se favorizojnë rivalin e tyre, Barcelonën me orarin e ndeshjeve. Mourinho ankohet se skuadra e tij nuk ka shanse të barabarta për të garuar. Mirëpo, presidenti i gjigantit katalan, Sandro Rosell, thotë se ekipi i tij përgjigjet në fushë. Nga Express më 13 mars 2011 në ora 12:49

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, sërish ka kritikuar kalendarin e La Ligas, duke akuzuar Ligën spanjolle se mundohet t’i ndihmojë rivalit të skuadrës së tij, Barcelonës. Gjatë konferencës për shtyp, para ndeshjes në shtëpi kundër Herculesit të shtunën mbrëma, Mourinho u ankua se Real Madridi duhet të përballet me rivalin lokal Atletico Madrid të shtunën e ardhshme, kur ka takimin e Ligës së Kampionëve në shtëpi kundër Olympique Lyonit të mërkurën e ardhshme.

“Tani jemi në një situatë ku nëse humbim pikë do të humbim edhe garën për titull, edhe pse jo matematikisht. Nuk jam budalla. Është një ekip që të martën e kaluar luajti në Ligën e Kampionëve dhe tani nuk ka ndeshje deri të dielën (Barcelona) dhe një tjetër që është i detyruar të luajë të mërkurën e javës së ardhshme e më pas të shtunën”, tha Mourinho i cili u ankua:

“Ne nuk kemi shanse të barabarta për të garuar. Nuk jemi duke luajtur me rregulla të njëjta, gara nuk është e hapur dhe nuk do të them asgjë më tepër. Ndoshta ne të gjithë do të qëndrojmë në shtëpi kundër Atleticos”.

Strategu portugez u pyet për marrëdhëniet e tij me mediet, që shpeshherë kanë qenë të tensionuara dhe janë përcjellë me fyerje ndaj gazetarëve në konferencat e fundit.

“Nuk do të jap mendimin tim sepse duhet të vazhdoj këtu në Madrid. Pasi të përfundoj qëndrim tim në klub, dua të flas vetëm për gjëra të mira, për shembull askush nuk më dëgjon duke folur keq për Chelsean, Interin ose për mediet angleze e italiane dhe e njëjta do të ndodhë në Real Madrid”, përfundoi ai.

Rosell: Barcelona përgjigjet në fushë

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka insistuar se klubi do t’u përgjigjet akuzave të Mourinhos në fushë në vend se në media. Kreu i gjigantit katalan ka refuzuar të inkuadrohet në luftën e fjalëve dhe preferon që ekipi i tij të kundërpërgjigjet në fushën e lojës.

“Jam i lumtur që trajneri im dhe futbollistët flasin në fushë. Messi flet në fushë dhe këtë e bën edhe Pep në mënyrën e tij”, tha Rosell për mediet spanjolle. Barcelona ka shtatë pikë epërsi ndaj Real Madridit dhe është në rrugë të mirë drejt titullit të tretë të njëpasnjëshëm me Guardiolan, por Rosell qëndron i kujdesshëm.

“Fitoret janë të rëndësishme, por duhet të shkojmë hap pas hapi. Nuk ia vlen të merremi me llogaritje . Në futboll asgjë nuk është e sigurt, derisa nuk e dëshmon matematika. Me shumë ndeshje të mbetura, shtatë pikë nuk janë asgjë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›