E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga spanjolle, tjetër skandal trukimesh

Futbolli spanjoll po kalon një prej momenteve më të vështira në histori. Shkak janë bërë deklaratat më të fundit të ish-kapitenit të Levantes, Injaki Deskarga, i cili flet për një ndeshje të shitur. Ai pretendon se skuadra e tij humbi në fushën e Atletik Bilbaos, në mënyrë që klubi i krahinës baske të mos binte nga La Liga përpara dy sezoneve. Futbollistët e Levantes ndihmuan në manipulimin e rezultatit final kundër Bilbaos, në sfidën e vlefshme për javën e fundit të sezonit 2006-‘07. Me atë fitore, bardhekuqtë mbijetuan mes më të mirëve, ndërkohë që "viktimë" e komplotit u bë Selta Vigo, e cila ra nga kategoria.

Pohimi ka ardhur vetëm pak ditë pas denoncimit të Hesulit, i cili deklaroi publikisht se ishte paguar nga Tenerife (ish-skuadra e tij) për të humbur përballë Malagas gjatë sezonit të kaluar. Lojtari ishte shpërblyer financiarisht për t‘u "dhuruar" tri pikët kundërshtarëve, pavarësisht se në atë sfidë nuk u aktivizua. Deskarga ia pohoi trukimin e ndeshjes presidentit të Levantes, Hulio Romero, gjatë një bisede që ishte regjistruar dhe tashmë është bërë publike nga televizioni "Popular". Regjistrimi ka shërbyer si një element më shumë për skandalin që ka shpërthyer së fundmi në gadishullin Iberik. Lajmi ka ardhur si një "rrufe në qiell të pastër" për klubin e Selta Vigos: ata do të vazhdonin të luanin në La Liga nëse Levante do të kishte marrë të paktën një barazim në ndeshjen e zhvilluar në "San Mames". Por, pas marrëveshjes mes dy skuadrave dhe fitores 2-0 të Atletik Bilbaos, ata ranë një kategori më poshtë, madje vazhdojnë të luajnë në Segunda Division. Në bisedën ndërmjet Deskargas dhe Romeros, futbollisti ka thënë: "Tani e gjithë skuadra kërkon një shpërblim financiar, në mënyrë që kjo histori të mos bëhet asnjëherë publike. Nëse e ke parë ndeshjen, kurrsesi nuk mund ta dallosh se ishte e trukuar. Mendoj se duhet t‘i kisha thënë të gjithë skuadrës, që do të luanim për të mos fituar. Por, nëse do të kisha vepruar në këtë mënyrë, atëherë rrezikonim të ngrinim shumë dyshime për paraqitjen tonë në fushë". Në fillim të kësaj jave, Hesuli "rrëfeu" se është paguar afro 6 mijë euro për të kontribuuar në humbjen e Tenerifes, por Deskarga nuk tregoi sa kishte përfituar apo kush e kishte paguar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›