E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas: Nëse vij në Itali, zgjedhja e parë është Milani

Ka qenë direkt përgjegjës në eliminimin e Italisë në çerekfinalet e Evropianit: e tij ishte penalltia decizive me të cilën Spanja fitoi gjysmëfinalet. Françesk "Çesk" Fabregas Soler është vetëm 21 vjeç, por tashmë është lider i Arsenalit dhe kampion i Evropës me Spanjën. "Në Evropian u përballëm shumë shpejt. Italinë, do të kisha preferuar në finale. Megjithatë, besoj se tifozët italianë mund të jenë të kënaqur: ata kanë Kupën e Botës, ne "vetëm" atë të Evropës. Doni t‘i ndërrojmë?".

Kampion i Evropës në moshën 21 vjeç: duket një fillim vërtet premtues për ju. Cilat janë objektivat personale për të ardhmen?

Objektivi im është gjithnjë i njëjti, prej shumë kohësh: të përmirësohem si lojtar, si sportist, si njeri. Nga një pikëpamje më shumë teknike, objektivat e mi i përkasin Arsenalit, me të cilin shpresoj të fitoj sërish Premier League e Champions, të dy objektiva të mundshëm. Për kombëtaren, në të ardhmen e afërt, objektivi është kualifikimi për në Botërorin 2010.

Ndaj kujt ndihesh më së shumti borxhli për rezultatet e tua?

Ndaj prindërve të mi. Më kanë mbështetur gjithmonë dhe në mënyrën e duhur, pa më vënë kurrë nën presion. Dhe vazhdojnë ta bëjnë ende edhe sot, më qëndrojnë shumë pranë.

Si sportist a ke ndonjë model referimi? Nga cili futbollist inspirohesh?

Nga një bashkëkombës i imi, i madhi Pep Guardiola, i cili stërvit Barcelonën. Ka qenë një mesfushor si puna ime dhe ka pasur një stil loje i cili më ka inspiruar. Sipas meje ka qenë një nga mesfushorët më të fortë të të gjitha kohërave, ndoshta më i forti, të paktën në futbollin modern....

Dhe kush është lojtari më i fortë me të cilin (ose kundër të cilit) ke luajtur ndonjëherë?

Është një tjetër mesfushor: Patrik Vieira. Unë kam luajtur me të tek Arsenali, kur akoma nuk isha askush. Është shumë i fortë e i shpejtë dhe është e pamundur ta markosh. Është tipi i lojtarit, që shpreson të mos e kesh kurrë përballë. Por ndoshta do të ndodhë në Champions.

A e ndjek futbollin italian? Cilën skuadër preferon të shikosh ose në cilën skuadër do të preferoje të luaje, nëse do të duhej të vije në Itali?

"Pa dyshim, Milani. Sipas meje, është skuadra italiane që luan futbollin më të bukur si ekip. Dua të them, në Serinë A ka shumë skuadra të forta: Inter, Juventus, Roma, por gati të gjitha varen shumë nga yjet e tyre. Nëse këta të fundit nuk janë në formë, vuajnë shumë. Ndërsa Milan beson tek organika, tek e tërë skuadra. Sipas meje, është një mentalitet fituesi dhe një filozofi që përshtatet edhe me mënyrën time të të luajturit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›