Mbushet Kosova

Ka tri vjet që Fadil Gashi nuk e ka vizituar vendlindjen e tij. Me të zbardhur mëngjesi i së premtes, ai është nisur nga qyteti i Bernës në Zvicër në drejtim të Kosovës. Kështu, ai paketoi gjërat në makinë dhe bashkë me gruan dhe tre fëmijët e tij morrin rrugën nga mërgimi për në atdhe.
Fadili përgjatë udhëtimit kishte mbetur i mahnitur nga autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën. Ishte hera e parë që ai me familjen i ka rënë nga rruga e re.
Pavarësisht pritjes për të kaluar atë kufi, pasi radha e automjeteve që vinin nga diaspora ishte shumë e gjatë, gëzimi për të hyrë në territorin e Kosovës i ka shtuar durimin Fadilit.
“Isha i gatshëm për gjithçka edhe për të pritur gjatë. Kur e pashë rrugën e re, më fascinoi, ma ka shtuar durimin”, thotë Fadili për Express.
Fadili është në mesin e atyre 190 mijë personave, që vetëm gjatë javës së fundit kanë hyrë në Kosovës përmes pikës kufitare të Vermicës, që ndan vendin me Shqipërinë.
Ky numër është rritur jo vetëm me ardhjen e mërgimtarëve, por edhe për shkak se qytetarët kanë shkuar për pushime në bregdetin shqiptar.
Prandaj, duke parë këtë fluks të madh të vizitorëve, Policia e Kosovës kohën e fundit ka shtuar numrin e patrullimeve nëpër rrugë. Sipas zyrtareve të rendit, shtimi i patrullave është rritur për shkak të shtimit të pjesëmarrësve në trafik.
Brahim Sadriu, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, thotë se vetëm për një javë në pikën kufitare të Vërmicës janë regjistruar mbi 103 mijë persona që kanë hyrë në Kosovës dhe 86 mijë që kanë shkuar drejt Shqipërisë.
“Pas këtyre statistikave të rritjes së hyrje- daljeve nëpër të gjitha pikat kufitare, jemi detyruar që ta rrisim edhe numrin e patrullimeve”, tregon Sadriu.
Por, pavarësisht fluksit të madh, sipas Sadriut, pritjet e qytetarëve në pikë kufitare janë maksimum deri në 10 minuta. “Kjo vonesë ndodh vetëm gjatë sezonit të verës, për shkak të fluksit të madh të udhëtarëve që hyjnë dhe dalin në këtë vendkalim kufitar”, u shpreh ai.
Tani është duke u zbatuar marrëveshja e nënshkruar që gjatë 3 muajve të sezonit turistik veror kontrolli i hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ushtrohet vetëm në njërën nga pikat doganore, duke përfshirë këtu edhe patrullimin e përbashkët të policisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë këtyre ditëve, Policia e Kosovës ka ndërmarrë edhe hapat që ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor, e sidomos atyre me pasoja fatale.