Kandidatura e Thanzës, Topalli zvarrit procedurat
Thanza është propozuar nga presidenti më 7 janar dhe ishte caktuar për t'u diskutuar të hënën tek ligjet
TIRANË- Konflikti institucional i Kuvendit me Presidencën mban pezull miratimin e anëtarit më të ri të Gjykatës Kushtetuese, Admir Thanzës. I dekretuar nga kreu i shtetit, Bamir Topi, që më datën 7 janar, kandidatura e Thanzës jo vetëm që s'ka kaluar për votim në seancë plenare, por as nuk është futur në programin e punës së Komisionit të Ligjeve.
Ky është komisioni përgjegjës i përcaktuar nga rregullorja e Kuvendit për t'u shprehur në lidhje me kriteret ligjore që duhet plotësojnë të gjitha kandidaturat për anëtarë të institucioneve kushtetuese.
Lidhur me këtë çështje, gjatë ditës së djeshme kanë qarkulluar informacione kontradiktore. Ka mjaftuar publikimi i tij në mediat vizive për të parë menjëherë reagimin e zyrës së shtypit të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila mohoi një lajm të tillë, duke konfirmuar nga ana tjetër se kanë nisur procedurat për zbatimin e detyrimit ligjor që i lind këtij institucioni për dhënien ose jo të pëlqimit për kandidaturat e propozuara nga institucionet e tjera.
Por, edhe ky informacion rezulton që të jetë pjesërisht i saktë. Kjo pasi problemi nuk qëndron në faktin nëse Kryetarja e Kuvendit ka rrëzuar kandidaturën e Thanzës, pasi këtë të drejtë nuk ia jep ligji dhe Kushtetuta, por tek zvarritja që ajo po i bën procesit. Kështu, zyra e shtypit e Kryetares Topalli, bën të ditur se Kuvendi ka nisur procedurën brenda të gjitha afateve ligjore, pasi bën llogaritjen e "trejavëshit" që përcakton rregullorja për trajtimin e një kandidature, duke nisur nga data 19 janar dhe jo në datën 8, kur ky dekret është protokolluar në këtë institucion.
Kjo përbën një çështje që lë vend për interpretim, pasi zyra e shtypit e Kryeparlamentares argumenton se e gjithë periudha nga data 8 deri në datën 19, kur dhe kanë nisur punimet e Kuvendit në seancë plenare, konsiderohet si kohë pushimi edhe për administratën.
Ndërkohë që ekziston dhe një linjë tjetër e kundërt me këtë argument, sipas së cilës kjo periudhë ndërmjet datës 8 dhe 19 janar ka qenë pushim për deputetët dhe jo për protokollin dhe administratën e Kuvendit.
Përpjekjet e Kuvendit për ta zvarritur dhënien e verdiktit për këtë kandidaturë nuk lidhen vetëm me llogaritjen e afateve kohore, por edhe me një fakt tjetër që shton dyshimet se një vonesë e tillë nuk është e rastësishme, por e qëllimshme dhe se si prapavijë të saj nuk ka vetëm luftën me kreun e shtetit, të cilit disa ditë më parë iu betua se nuk do t'i kalonte asnjë kandidaturë pa u konsultuar paraprakisht, por edhe ligjin e dosjeve, i cili tashmë ka kaluar në Gjykatë Kushtetuese.
Ky institucion do të ketë barrën e rëndë për të vendosur nëse ligji i reklamuar me të madhe nga mazhoranca është apo jo në përputhje me dokumentin themeltar të shtetit. Burime nga Komisioni i Ligjeve bëjnë të ditur se dekreti i presidentit për kandidaturën e Admir Thanzës gjatë mesit të javës së shkuar, ishte përfshirë në kalendarin e punimeve të këtij komisioni për t'u diskutuar ditën e hënë.
Por menjëherë pasi PS-ja ankimoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese, mësohet se është hequr edhe kandidatura e Thanzës nga kalendari i punimeve të Komisionit të Ligjeve, duke u zëvendësuar me diskutimin e propozimeve për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kështu, duket se me këtë vonesë, Kryetarja e Kuvendit kërkon që t'i tregojë kreut të shtetit pushtetin që ka dhe nga ana tjetër të lërë të paplotësuar vendin e lënë bosh nga Gjergj Sauli në Gjykatën Kushtetuese, duke bllokuar edhe për disa kohë vendimmarrjen e këtij institucioni për ligjin e dosjeve, pasi siç dihet, tashmë në të janë vendosur balancat 4 me prirje të djathta dhe me 4 të majta.
Rregullorja
Neni 111
3. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës.
4. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
5. Në rastet kur zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj bëhet nga Kuvendi, me propozim të institucioneve të tjera, procedohet sipas pikës 3 të këtij neni. Kuvendi shqyrton kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tre javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.
7. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni, nëpërmjet raportit të tij, i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje.