E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet ligji i kushtetutës

"Forumi i Avokatëve për Drejtësi" ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën kundër ligjit të "spiunëve"

Në Gjykatën Kushtetuese mbërrin kërkesa e dytë kundër ligjit të dosjeve. Një ditë pas Partisë Socialiste, ligjin e shumëpërfolur "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve në organet e pushtetit vendor", e godasin në Gjykatë edhe avokatët. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, Forumi i Avokatëve për Drejtësi, duke mos u pajtuar me këtë ligj, i është drejtuar ditët e fundit Gjykatës Kushtetuese, ku dhe ka depozituar kërkesën për shpalljen e këtij ligji si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.


Forumi i Avokatëve për Drejtësi, i regjistruar si organizatë jofitimprurëse, me qëllim mbrojtjen dhe përfaqësimin e të drejtave dhe interesave të avokatëve brenda dhe jashtë procesit gjyqësor, në marrëdhëniet me institucionet e ndryshme të shtetit, të sistemit të drejtësisë, me administratën publike, si dhe me vetë qytetarët, thekson në kërkesën e vet se nenet 3 dhe nenit 4 të këtij ligji, vijnë në kundërshtim të hapur me nenet 4, 5, 6, 17, 18, 29, 65, 81, 116, 121 - 123, 125 -130, 135 - 149 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe me aktet juridike ndërkombëtare, të cilat Republika e Shqipërisë i ka ratifikuar dhe i ka bërë pjesë të legjislacionit të vendit, posaçërisht me Konventën Evropiane për të


Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Sipas avokatëve, ky ligj cenon rëndë parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, të drejtën e prezumimit të pafajësisë, të drejtën e mosgjykimit kolektiv, të paragjykuar dhe pa proces të rregullt gjyqësor të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, të drejtën për t'u zgjedhur, të drejtën për të mos u dënuar dy e më shumë herë për të njëjtin veprim, të drejtën për punë, të drejtën për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit njerëzor etj.


"Ky Ligj nëpërkëmb në mënyrë të hapur parimet universale demokratike të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit, të ligjit dhe fuqisë zbatuese të tij, të parimit universal; "para ligjit të gjithë të barabartë dhe të gjithë janë të detyruar të njohin dhe zbatojnë në hapësirë dhe në kohë ligjet në fuqi", - thuhet mes të tjerave në këtë aktpadi.


Gjithashtu, ata evidentojnë se nëpërmjet këtij ligji të miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca e djathtë, futet në kolaps i gjithë sistemit i Drejtësisë, pasi shkel në mënyrë të hapur pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe e nënshtron pa kushte organin e akuzës para ekzekutivit shqiptar.


PS-ja i nis kërkesën e Kushtetueses dhe ndërkombëtarëve

Partia Socialiste, në përpjekjet e saj për eliminimin e efekteve vepruese të "dosjeve", nuk është mjaftuar vetëm ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Socialistët, përveç betejës ligjore në Gjykatë, kanë vendosur të vazhdojnë luftën e tyre edhe tek partnerët ndërkombëtarë që asistojnë vendin tonë në forcimin e institucioneve demokratike, për t'i nxitur ata që të ndërhyjnë tek qeveria shqiptare, për të hequr dorë nga zbatimi i ligjit.

Për këtë arsye, ata, nga një kopje të kërkesës që kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese për shpalljen si antikushtetues të ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, ua kanë dërguar në postë elektronike të gjitha ambasadave të vendeve të huaja në vendin tonë.


Nëpërmjet këtij veprimi, selia rozë kërkon t'u bëjë më të qartë ambasadave dhe nëpërmjet tyre dhe vendeve që ato përfaqësojnë, shkeljet që ligji në fjalë i bën Kushtetutës dhe rrezikun që ky ligj mbart për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Në 26 faqe kërkesë, grupi i deputetëve argumenton në mënyrë të detajuar se ligji i goditur në gjykatë bie ndesh, me të paktën 28 nene të Kushtetutës, si dhe me një sërë ligjesh të tjera organike,

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›