E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjërimi i pasurisë, dokumentet që duhen

Elidon Laze, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Apelimit Cili është dokumentacioni që duhet për hedhjen në kartelat e pasurive nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive (ZVRPP) dhe çfarë regjistrimesh konkrete kryhen nga kjo zyrë? -Në çdo Zyrë Vendore Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme, të cilat në të gjithë vendin janë 35, të ngritura mbi bazë rrethi, regjistrohen pasuritë e paluajtshme dhe te drejtat reale mbi to, mbi bazën e akteve të fitimit të pronësisë. Aktet ligjore të fitimit të pronësisë së një pasurie të paluajtshme janë të parashikuara në ligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe ne nenet 192-197 teë Kodit Civil. Konkretisht, janë aktet e organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave, sikurse është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me zyrat rajonale të saj; aktet e marrjes së tokës në pronësi, të lëshuara nga Komisionet e Ndarjes së Tokës në bazë të Ligjit Nr. 7501, të vitit 1991; vendimet e gjykatave ose organeve të tjera shtetërore që përmbajnë fitimin e pronësisë, pjesëtimin e saj, deklarimin e pavlefshëm të kalimit të pronësisë së akteve të regjistruara rregullisht më parë etj; aktet e përmbaruesit gjyqësor për sekuestrimin dhe shitjen në ankand të pasurive; kontratat e shitjes së pasurive të paluajtshme nga organet e njohura me ligj, si rezultat i procesit të privatizimit të ish-pronës shtetërore (ish-banesat shtetërore, ndërmarrjet shtetërore, njësitë tregtare etj.); kontratat me të cilat krijohen, njihen, ndryshohen ose pushojnë të drejta pronësie, uzufrukti, përdorimi, emfiteozë, servituti e të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme etj. Pra, ka akte me të cilat fitohet pronësia mbi një pasuri të paluajtshme dhe akte me të cilat fitohen të drejta mbi një pasuri të paluajtshme. Të gjitha këto shërbejnë për të regjistruar pasurinë, në një kartelë dhe në një hartë treguese regjistrimi. Kartela përmban një sërë informacionesh për pasurinë të tilla si lloji, sipërfaqja, kufijtë, pronari ose bashkëpronarët e mundshëm të saj, ndërsa ka edhe seksione të tjera që tregojnë të drejta që mund të ekzistojnë mbi pasuritë e paluajtshme, si të drejta qiraje, të drejta përdorimi, të drejta hipotekore apo të drejta të tjera reale, të cilat janë te përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë. Në një kartelë të pasurisë së paluajtshme, regjistrohen dhe informacione të tjera, kufizime mbi pasuritë e paluajtshme, kufizime të cilat mund të jenë vendosur në bazë të vendimeve të gjykatave, në bazë të urdhrave të kryeregjistruesit, kur ka shkak ligjor të gjykohet se disa veprime mbi pasuritë e paluajtshme nuk mund të kryhen. Harta Treguese e Regjistrimit tregon pozicionin e përafërt gjeografik të pasurisë. Në rast se ka një pasaktësi në pronën që çdokush mund të ketë të regjistruar, ka ankesa për zvarritje, ku duhet të paraqitet, konkretisht, për të gjetur të drejtën e tij? Cilët janë hapat që duhet të ndjekë? -Gjatë periudhës që do të kryhet regjistrimi fillestar sistematik për një zonë kadastrale të përcaktuar, do të bëhet regjistrimi i të gjitha pasurive të paluajtshme të ndodhura në këtë zonë kadastrale, të cilat kryesisht janë të llojit truall dhe ndërtesa. Ky është një proces masiv, në kuptimin që bëhet për çdo pasuri të ndodhur brenda një territori gjeografik të përcaktuar që quhet zonë kadastrale, është një proces që kryhet falas për qytetarët dhe është një proces për të cilin do të ketë publikime. Këto publikime do të bëhen nëpërmjet mediave të shkruara dhe vizive. Gjatë procesit të regjistrimit, është në të mirë të qytetarëve që kanë pasuri të paluajtshme brenda zonës kadastrale për të cilën po kryhet regjistrimi, të marrin pjesë në këtë proces. Në këtë mënyrë, çdo veprim i kryer nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nëpërmjet një kompanie që ka kontraktuar ajo për kryerjen e procesit të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, kontrollohet nga qytetarët për të verifikuar, nëse pasuria e tyre po regjistrohet apo jo, nëse po, të dhënat për pasurinë e tyre a pasqyrohen ashtu siç janë në dokumentet e fitimit të pronësisë? Për ta bërë më të thjeshtë, qytetarët mund të verifikojnë nëse për pasurinë e paluajtshme është regjistruar saktë emri i pronarit apo bashkëpronarëve, sipërfaqja, kufitarët etj. Pas këtij afat 45-ditor, qytetari ka të drejtë të ankohet për ndonjë pasaktësi të mundshme në pasurinë e tij të paluajtshme apo do t’i thuhet: “Ju keni qenë aty, kur u realizua ky proces dhe kishit gjithë kohën dhe të drejtën për të bërë korrigjimet e mundshme të pretenduara?” Për sa i takon periudhës së regjistrimit fillestar që përfundon me afishimin publik dhe pastaj regjistruesi mund të lëshojë certifikatë për pasurinë e paluajtshme, pretendimet do të bëhen të ditura gjatë regjistrimit fillestar. Sigurisht që qytetarët kanë të drejtë të bëjnë ankesa e të ngrenë pretendime për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme edhe pas periudhës 45-ditore të afishimit publik, por këto pretendime nuk mund të shqyrtohen gjatë periudhës së regjistrimit fillestar, periudhë në të cilën kartela nuk ka marrë datë përfundimtare, kur regjistrimi pra nuk ka përfunduar dhe kur korrigjimet e mundshme të mbështetura sigurisht mbi dokumente bëhen falas. Gjithsesi, çdo pretendim i qytetarëve ndaj regjistrimit është i mundur të bëhet në çdo kohë dhe regjistruesi është i detyruar që ta shqyrtojë, të mbajë një qëndrim administrativ ndaj kërkesës dhe më pas është e mundur që ndaj qëndrimit të regjistruesit të ndiqet edhe rruga gjyqësore. Vlen për t’u theksuar rëndësia që ka afati 45-ditor për paraqitjen e pretendimeve, ankesave apo kërkesave për korrigjime të gabimeve të mundshme, për shkakun se ato janë kërkesa që nuk trajtohen si shërbime me pagesë nga zyra e regjistrimit, pra janë falas, janë kërkesa që do të shqyrtohen gjatë periudhës kur energjitë dhe forcat e Zyrës së Regjistrimit janë përqendruar në këtë proces,për të mundësuar kryerjen e një regjistrimi prefekt, duke u kontrolluar dhe monitoruar ky proces nëpërmjet procedurave të mirëpërcaktuara. Si regjistrohet prona ? 1. Mbledhja dhe saktësimi i dokumentacionit 2. Përgatitja e hartës dhe kartelës së pasurive të paluajtshme 3. Afishimi publik 45-ditor (saktësime dhe verifikime) 4. Marrja e certifikatës së pronësisë në bazë të kërkesës së pronarit pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Cilat dokumente pronësie janë të vlefshme? Të gjitha dokumentet e pronësisë të lëshuar nga Komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim. Të gjithë dokumentet e lëshuara pas vitit 1991 nga Komisionet e Kthimit e Kompensimit të Pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht. Të gjitha dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie, vendim gjykate etj. Individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie si më sipër, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo genplanin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›