E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Rikandidimi i Ramës, arsyeja e tërheqjes nga gara

Arben Malaj i shoqëruar nga deputeti Ben Blushi doli sot para mediave, dy ditë pas Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së. Malaj shpjegoi arsyet e terheqjes nga gara. Blushi nuk kurseu kritikat ndaj Kongresit 

TIRANË- Anëtari i Kryesisë së PS-së, deputetin Arben Malaj shpjegoi sot se u tërhoq nga gara për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj partie, në 26 shtator pasi rikandidimi i Edi Ramës solli qëndrimim armiqësor për mendimin ndryshe. “Shpresova se Rama do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe nuk do të rikandidonte”, tha Malaj i shoqëruar nga deputeti Ben Blushi sot para mediave, dy ditë pas Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së, ku u prezantuan dhe platformat e tre kandidatëve për drejtimin e PS-së, Maqo Lakrori, Edi Rama dhe Arben Malaj. Ky i fundit ka treguar sot paradite, në një konferencë për shtyp në hotel Tirana, arsyet e tërheqjes së tij nga gara.
Malaj nënvizoi se “gara po krijonte grindje të përhershme brenda PS-së dhe kandidmi i Ramës cënoi kredibilitetin”.

“Gjatë Kongresit të 29 gushtit, shpresova se Rama do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe nuk do të rikandidonte, duke zbatuar një standard që duhet të ndiqet nga të gjitha partitë shqiptare”, nënvizoi Malaj tha ndër të tjera se kontributet e tij në politikë nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë brenda një gare. “Unë do të jem një zë politik në publik për cka PS duhet te beje me mire, një zë përfaqesues për socialistet progresist”.

Sipas Malajt më e keqja ishte fakti se Rama nuk bëri asnjë vlerësim për kolegët me mendimin ndryshe.

Ndërsa Blushi komentoi parlajmërimin e kryetarit të PS-së, në detyrë Edi Rama, për bojkotim të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, nga ana e deputetëve të kësaj force.
“Në kongres nuk u diskutua për një vendim të tillë dhe për 8 orë nuk u dëgjua kjo fjalë. Edi Rama e tha fjalën bojkot vetëm të nesërmen e Kongresit, gjatë konferencës së tij për shtyp”, tha ndër të tjera Blushi, i cili është kundër bojkotit të parlamentit.

Duke folur për Kongresin e Jashtëzakonshmë të PS-së, deputeti Blushi kritikoi kryetarin në detyrë, Rama duke nënvizuar se "ai nuk shprehu përgjegjësinë për humbjen. Rama mblodhi 1500 delegatë për një miting personal”.

Malaj dhe Blushi, si dhe disa personalitete dhe anëtarë të tjera të PS-së, të cilët njihen si kundërshtare të kryetarit në detyrë, Edi Rama, ishin edhe hartuesit e një paketë për ndryshime statutore në PS, përmes të cilave u kërkua mosrikandidimi i kryetarit në rast se ai humbet zgjedhjet.
Kjo paketë u hodh poshtë si gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS-së ashtu dhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, të 29 gushtit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›