Osservatore Romano: “Piu XII, profet i paqes dhe i drejtësisë”
“Piu XII luajti një rol profetik si profet i paqes e i drejtësisë gjatë e pas konfliktit II botëror, ashtu si bënë edhe pasardhësit e tij. E kundërshtoi prirjen për ta konsideruar mbarë popullin gjerman fajtor, për atë që po ndodhte në Evropë”. E lexojmë këtë në gazetën ‘L’Osservatore Romano’ të së hënës së kaluar, në një editorial botuar në faqen e parë e nënshkruar nga drejtori, GianMaria Vian. Teksti u botua me rastin e 70-vjetorit të radiomesazhit të Piut XII kundër shpërthimit të luftës, më 24 gusht 1939. “Piu XII dhe ata që e pasuan në Selinë Romake me emrat Gjoni XXIII e Pali VI - shkruan ‘L’Osservatore’ - ndërsa shpërthente konflikti i përgjakshëm, qenë sa mbrojtës të arsyeve njerëzore e të drejtësisë, aq edhe dëshmitarë të dashurisë së Krishtit. Papa Paçeli nuk pushoi së predikuari në mbrojtje të paqes, si gjatë luftës, ashtu edhe pas përfundimit të saj: mbrojti demokracinë, refuzoi ta fajësonte kolektivisht popullin gjerman për krimet e luftës, iu kundërvu me të gjitha forcat totalitarizmit sovjetik, që u imponoi regjime diktatoriale shumë vendeve të botës, duke i hapur rrugën krimeve të reja e fatkeqësive të reja, pasojë e diktaturave të të gjitha ngjyrave. E nuk pushoi së punuari për një projekt, që do ta bashkonte “Evropën e vjetër,” kontinentin, që ishte vepër e gjenisë të krishterë, por që nuk qe i aftë për t’ia vënë veshin radiomesazhit papnor, transmetuar më 24 gusht 1939. Koha do ta tregonte vlerën e tij, që mbetet aktuale edhe për sot e për nesër, që të mos përsëritet historia.
Papa i nxit liderët botërorë ta mbrojnë ambientin me frymën e solidaritetit për të varfërit/Njeriu nuk është pronar absolut i Krijesës. Nuk është zot i gjithësisë! Benedikti XVI u kërkoi liderëve ndërkombëtarë ta mbrojnë mjedisin, duke u solidarizuar me të varfërit e duke respektuar ligjet. E bëri këtë thirrje të mërkurën e kaluar, në Kastel Gandolfo, gjatë audiencës së përgjithshme, në praninë e më se 5 mijë besimtarëve.
Papa nënvizoi se fenomenet e ndryshme të shkatërrimit ambiental dhe fatkeqësitë e natyrës, që për fat të keq i regjistron shpesh herë kronika, na kujtojnë sa urgjente është të respektohet natyra, duke rivendosur e duke rivlerësuar në jetën e përditshme, lidhjen e drejtë me ambientin. Kisha, gjithnjë e impenjuar në mbrojtjen e tokës, të ujit e të ajrit, që përpiqet me të gjitha forcat ta mbrojë njeriun nga shkatërrimi i vetvetes, i rikujtoi edhe një herë mbarë njerëzimit se po të mungojë lidhja e krijesës njerëzore me Krijuesin, materia i nënshtrohet vetëm përdorimit egoistik, njeriu bëhet instanca e fundit, e qëllimi i jetës kufizohet në rendjen e ethshme për të pasur sa më shumë që të jetë e mundur.
Ripohoi, kështu, se bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e veçanta duhet t’u japin qytetarëve të tyre sinjalet e duhura për t’iu kundërvënë me sukses mënyrave të dëmshme të përdorimit të ambientit.