Ligjet, diskutohet mbrojtja e dëshmitarëve
Komisioni i Ligjeve diskutoi dje nen për nen projektligjin e qeverisë për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë. Anëtarët e djathtë të komisionit debatuan për disa nga nenet e këtij projektligji. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, kërkoi që projektligji të theksojë përgjegjësinë e të gjitha institucioneve të përfshira në të. Sipas tij, palët e përfshira duhet të kenë një bashkëpunim pa harruar përgjegjësinë. Nga ana tjetër Alibeaj tha më tej se në komisionin e posaçëm të miratimit të dëshmitarëve nuk duhet të jetë i pranishëm një gjykatës. Projektligji parashikon 5 përfaqësues institucionesh në këtë komision, por sipas Alibeajt, prania e gjykatësit nuk është e nevojshme. Deputetët e tjerë u shprehen se nga praktika e deritanishme prania e gjykatësit në këtë komision ka dhënë fryte të mira. Diskutimi i këtij projektligji do të vijojë në ditët në vijim.