E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i dosjeve, Topalli: Presim kompromisin e opozitës



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk e sheh një kapitull të mbyllur ligjin e dosjeve, madje sipas saj, është detyrë e parlamentarëve t’i shkojnë kësaj çështjeje deri në fund. Komenti u bë nga Topalli gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e saj kanadez, Noel Kinsella, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë. E pyetur nga media në lidhje me rrëzimin e projektit në Komisionin e Venecias, Topalli u shpreh se nuk është njohur ende me këtë projekt, por ndërkohë deklaroi se duhen parë kompromise më të gjëra me opozitën për këtë çështje. “Nuk jam njohur ende me këtë dokument. Ne respektojmë vendimet e gjykatave, vendime të tilla të gjitha respektohen. Detyra e parlamentarëve është për të parë se çfarë hapësirash ka për mundësimin e kompromiseve më të gjera, për të respektuar të tilla vendime. Kjo në të njëjtën kohë kërkon një votë më të gjerë, kërkon praninë e opozitës në Parlament”, - deklaroi Topalli.

Kryetarja e Kuvendit priti dje në një vizitë zyrtare kryetarin e Senatit të Kanadasë, Noel Kinsella, i cili vizitoi vendin tonë. Kjo vizitë u shoqërua edhe me nënshkrimin e një memorandumi mes dy parlamenteve, i cili do t’i hapë rrugën rritjes së tregtisë mes dy vendeve. “Mendoj se edhe kjo vizitë do të tërheqë vëmendjen e politikës dhe biznesit në Kanada. Është i rëndësishëm fakti që Kanadaja, nga i gjithë rajoni, ka fokusuar Shqipërinë për investime dhe vëmendjen që ajo ka në të gjithë sektorët”, - tha Topalli në konferencën për shtyp.

Njëkohësisht, Topalli, e pyetur më tej nga mediat, i bëri thirrje opozitës të vijë në Kuvend, pasi sipas saj, kjo është mënyra më e mirë për të realizuar të gjitha kërkesat e opozitës. “Ata do të kenë të gjitha hapësirat që lejon Kushtetuta, ligji dhe gjithë fleksibilitetin e kryetares së Parlamentit për t'i respektuar në detyrën e tyre. Pa dyshim, çdo iniciativë kushtetuese do të shqyrtohet në Parlament. Po unë mendoj që edhe aty kishte rrugë për këtë nismë. Ju e dini që në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit nuk ka nevojë që t'i lodhin fare shqiptarët. Mjafton iniciativa e një deputeti për t’u shqyrtuar në Parlament. Rrugët kushtetuese, rrugët ligjore respektohen në Parlament”, - deklaroi Topalli. Nga ana e tij edhe kryetari i Senatit të Kanadasë komentoi bojkotin e opozitës, duke u përgjigjur se prania në Kuvend është e rëndësishme. “Ne përdorim fjalën “parlament”, e cila vjen nga gjuha frënge “parlè” që do të thotë “me folë”. Një nga kushtet për të folur është prania në Parlament. Si kryetar Parlamenti unë inkurajoj të gjithë anëtarët e tij të vinë dhe të flasin në Parlament”, - tha kryetari i Senatit kanadez.

Në takimin mes dy kryeparlamentarëve u fol për shumë fusha bashkëpunimi, si në sferën e ekonomisë, ashtu edhe në atë të bashkëpunimit mes dy parlamenteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›