E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, sot në Slloveni me ftesë të Presidentit Tyrk



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, me ftesë të Presidentit slloven, Danilo Tyrk, niset sot për një vizitë shtetërore dyditore në Republikën e Sllovenisë. Kreu i shtetit shqiptar do të pritet nga homologu i tij slloven, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për t’u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare, ku pritet që temat e bisedimeve plenare do të përqendrohen në marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe situatën në rajon. Presidenti Topi do të zhvillojë takime edhe me Kryeministrin slloven, Borut Pahor, me kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Pavel Gandar, si dhe me kryebashkiakun e Lubjanës, Zoran Jankoviç dhe atë të Bledit, Janec Fajfar. Vizita e Presidentit Topi do të pasojë me pjesëmarrje të përbashkët me homologun e tij slloven në Konferencën e Biznesit Shqiptaro-Slloven ku të dy presidentët do të përshëndesin bashkësinë e sipërmarrësve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve respektive, duke vënë theksin në forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, si dhe gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›