E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet, mazhoranca rrëzon katër dekretet e Topit

15/06/2011  Komisioni rrëzoi dje propozimet e Presidentit për vendet vakante në gjykata

Deputetët e mazhorancës rrëzuan dje katër propozimet e Presidentit Topi për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Komisioni i Ligjeve, në mungesë të përfaqësuesve të opozitës, u mblodh paraditen e djeshme, ku diskutoi për kandidaturat për në Gjykatë të Lartë dhe asaj Kushtetuese, të dekretuara dy ditë më parë nga Presidenti i Republikës për vendet vakante në Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Pas shqyrtimit të propozimeve të sjella nga Topi për miratim, komisioni doli në përfundimin se disa prej tyre nuk i plotësojnë kriteret. Në këto kushte, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmaili, i kërkoi edhe një herë Presidentit Topi të rishikojë kandidaturat e zgjedhura dhe të zgjedhë gjyqtarë të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret kushtetuese për të qenë anëtarë të gjykatave. “Këto kandidatura të kthehen mbrapsht dhe të riparaqiten në afatin që përcakton Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese”, tha Rusmali.

Gjykata e Lartë

Në lidhje me kandidaturat e propozuara për Gjykatën e Lartë, Komisioni i Ligjeve pranoi dje vetëm dy nga tre emrat e propozuar. Bëhet fjalë për gjyqtarët Shkëlzen Selimi e Edmond Islami. Kandidatura e Manjola Bejlerit u cilësua nga deputetët se nuk i plotëson kriteret e kërkuara, por që gjithsesi mbetet në fuqi deri të enjten, kur do bëhet dhe votimi në Kuvend për miratimin e tyre. Për Bejlerin, e cila u konsiderua edhe e papërshtatshme nga ana e Komisionit të Ligjeve, deputeti Dashnor Sula kërkoi edhe ndjekje penale. “Nëse një gjyqtare e tillë si zonja Bejleri, dhe raporti që paraqet relatorja dhe ne si komision do ta votojë, duke qenë se paska kaq shkelje, do të ishte në nderin tonë të komisionit dhe të relatores që t’i paraqiste një raport dhe ministrit të Drejtësisë, që të fillonte procedimin penal ose edhe më tej, ndoshta për ndjekje penale, sepse ajo nuk ka arritur që me performancën e saj të ndryshojë raportet në gjyqësor, plus që paska 40%-50% prishje të vendimeve. Besoj përbën shkelje disiplinore dhe nuk mund të rrimë indiferent si komision”, u shpreh Sula.

Gjykata Kushtetuese

Ndërsa për Gjykatën Kushtetuese, Komisioni i ligjeve ka pranuar kandidaturën e gjyqtarit Fatmir Hoxha, duke rrëzuar tri propozimet e tjera të Topit. Kështu, Komisioni i Çështjeve Ligjore mori në shqyrtim dje edhe vendimmarrjen e fundit në Gjykatën Kushtetuese sa u takon emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Deputetët e mazhorancës në këtë komision ranë dakord për miratimin e një prej propozimeve të Presidentit Bamir Topi për Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese në interpretimin e ligjit deklaroi se Presidenti duhet të këshillohet me Kuvendin për përcaktimin e kandidaturave për vendet vakante. Në shtatorin e vitit të kaluar, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka firmosur dekretet për katër vendet bosh për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti kishte përzgjedhur Fatmir Hoxhën, Edlira Jorgaqin, Artan Hoxhën dhe Ardian Lekë, ku nga këta, vetëm i pari u miratua dje nga Komisioni i Ligjeve.

Propozimi i Rusmailit

“Në vlerësimin tim, në qoftë se ne do të vazhdonim të procedonim me të katërt relacionet, sot praktikisht jemi duke neglizhuar paralajmërimin e rëndë që na jep Gjykata Kushtetuese për cenimin që mund t’i vijë parimit të rotacionit nga procedimi ‘un-block’ për 4 kandidaturat. Në këto rrethana do të sugjeroja që ne të mund të dalim si komision me një propozim të tillë: t’i përcjellim Kuvendit vazhdimin e procedurës për kandidaturën që komisioni ka gjetur në përputhje me kriteret që Parlamenti ka për vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër të përcjellim propozimin për Kryetaren e Kuvendit për tri kandidaturat e tjera. Këto kandidatura të mund të kthehen mbrapsht dhe të riparaqiten në afatin që përcakton Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese që e rikonfirmon”, tha Rusmali.

Relatimet e dekreteve

Në fjalën e tij, relatori i çështjes së djeshme në Komisionin e Ligjeve, Viktor Gumi, u shpreh në të njëjtën linjë me kryetarin Rusmaili, duke theksuar se “në këtë Kuvend janë shqyrtuar relacionet e katër gjyqtarëve”. Gumi nënvizoi në relatimin e tij se zgjidhja përfundimtare e këtij problemi mund të bëhet nga vetë kreu i shtetit, i cili të paraqesë në Kuvend kandidatura të cilat i plotësojnë kriteret juridike dhe kushtetuese. “Unë besoj se Kuvendi dhe ky komision, duhet të vijojnë procedurën në lidhje me ato propozime që ne i kemi bërë paraprakisht dhe të cilat janë arsyetuar. Pra, dekretet e Presidentit të Republikës, raportet e Komisionit të Ligjeve në seancën plenare, nëpërmjet një votimi, kanë theksuar se ky të shikohet si një hap i parë i zgjidhjes përfundimtare, të zbatimit përfundimtar të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Viktor Gumi.

Votimi të enjten në Kuvend

Tri kandidaturat për Gjykatën e Lartë dhe një për në Gjykatën Kushtetuese do të presin deri të enjten, kur të marrin dhe votëbesimin e deputetëve në Parlament. Kështu, në seancën e ardhshme parlamentare, që do të zhvillohet ditën e enjte, deputetët do të votojnë dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë: Shkëlzen Selimi dhe Edmond Islamaj. Ndërsa për Manjola Bejlerin, relatorja e çështjes në Komisionin e Ligjeve, Paulina Hoti, në lidhje me këtë kandidaturë u shpreh dje se “lehtësisht mund të konstatohet se performanca profesionale e zonjës Manjola Bejleri nuk është ajo që kërkohet për gjyqtare në Gjykatën e Lartë. Bazuar në analizën e mësipërme, si relatore i propozoj komisionit që t’i rekomandohet seancës së ardhshme plenare mosdhënia e pëlqimit të kandidaturës për anëtare të Gjykatës së Lartë, Manjola Bejlerit”.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor

Ristani: Procesi i hapjes së kutive të votimit në KQZ do të zgjasë 10 ditë

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që vendosi të hapë të gjitha kutitë e tjera, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund të fillojë punën vetëm pas njohjes me vendimin e plotë të Kolegjit. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, në një prononcim dhënë për mediat theksoi se pas prezantimit të vendimit, procesi i hapjes dhe këqyrjes së 368 kutive do të zgjasë jo më shumë se 10 ditë. “Më duhet të shohim vendimin të arsyetuar, që të mund ta argumentojmë dhe ta kuptojmë dhe me të ardhur të fillojmë menjëherë nga puna. Në të dyja gjykimet e fundit është rikonfirmuar në mënyrë të saktë, të plotë dhe pa ekuivok drejtësia e qëllimit dhe të procedurave që KQZ-së ka ndjekur gjatë gjithë kësaj periudhe dhe besoj se kjo është shumë e rëndësishme, se ka konfirmuar punën në KQZ. Nuk mund t’ju them, gjithsesi besoj se rreth dhjetë ditë mund të zgjasë gjithë procesi. Nuk bëhet fjalë për rinumërim total, bëhet fjalë për të hapur ose kutitë e votimit të fletëve të votimit të kontestuara, ose fletët e gjetura në kutitë e gabuara që do të varen nga vendimi që do ta shohim të arsyetuar”, u shpreh Ristani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›