Kurban Bajrami, 4 000 mijë besimtare në shesh
Elbasan- Rreth 4 000 besimtarë myslimanë të Elbasanit dhe periferisë së tij kanë kryer ritin e faljes së Kurban Bajramit në sheshin kryesor të këtij qyteti. Myftinia e Elbasanit kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e ceremonisë. Në fjalimet e rastit, drejtues të Myftinisë Elbasan u përqendruan në mesazhin që përcjell kjo festë ndër besimtarë. Ata kanë uruar besimtarët për më shumë paqe, vëllazëri e harmoni dhe kanë tërhequr vëmendjen që të jenë të kujdesshëm e të qëndrojnë larg fenomeneve të tilla si droga, alkooli, prostitucioni, që janë vese të dënueshme nga Allahu. Prej vitesh në Elbasan ka ekzistuar një bashkëpunim i shkëlqyer fetar e në raste festash besimtarët urojnë njëri-tjetrin. Në këtë qytet ekziston dhe funksionon qendra ndërfetare, e cila ka si qëllim përçimin më tej të këtyre vlerave.