Ligjet, miratohen dekretet e Nishanit për Gjykatën e Lartë. Debate Rusmaili-Majko
Ka degjeneruar në fyerje personale mbledhja e Komisionit parlamentar të Ligjeve, e parashikuar si seancë dëgjimore me dy kandidatët për Gjykatën e Lartë: Admir Thanza dhe Tom Ndreca, të propozuar nga presidenti Bujar Nishani. Pas prezantimit të dy kandidaturave mes anëtarëve të komisionit nuk kishte as diskutime dhe as pyetje ndërsa kreu i komisionit Ilir Rusmaili i kaloi ato pa i hedhur në votim pas konsensusit të opozitës siç tha vetë ai.
“Nuk ka pyetje nga kolegët. Do të thotë që kjo pjesë e kësaj pike të rendit të ditës, zhvillimi i seancës dëgjimore me dy kandidatët mbyllet këtu”,- tha Rusmaili duke ironizuar më tej qëndrimin e opozitës, duke u thënë se nuk shoh filxhanin e Pandit kur doni të votoni ju.
Kjo ka sjellë reagimin e deputetit Pandeli Majko, i cili i është drejtuar: Skeni turp, e quani të miratuar pa hapur votimin. Kërkesa e opozitës për të rihedhur në votim dy kandidaturat u hodh poshtë ndërsa komisioni i ligjeve vazhdoi me rendin e ditës.
Admir Thanza ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish- anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa Tom Ndreca është gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës, detyrë që e ushtron prej 16 vitesh. Dy emrat u dekretuan nga presidenti Nishani dhe pritet të zëvendësojnë në këtë post Besnik Imerajn dhe Gani Dizdarin të cilët kaluan tek Gjykata Kushtetuese.
23 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Ligjet, miratohen dekretet e Nishanit për Gjykatën e Lartë. Debate Rusmaili-Majko burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email