Ligjet miratojnë projektligjin për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit
TIRANE - Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi ditën e djeshme projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, projektligj i cili synon rregullimin e marrëdhënieve juridike në fushën e administrimit të objekteve të përbashkëta, të ndërtesave të banimit, truallit, të cilat janë në bashkëpronësi të detyrueshme.
Projektligji, i cili ishte debatuar edhe në mbledhjet e kaluara të këtij komisioni u miratua me disa ndryshime të paraqitura nga anëtarët e komisionit.
Drafti, me rreth 45 nene, përmban një sërë risish që lidhen me detyrimet ligjore reciproke që kanë banorët e një ndërtese banimi për të kontribuar në kostot për administrimin dhe mirëmbajtjen e saj. Drafti përcakton detyrimin për regjistrimin ligjor, jo vetëm të pronës, por edhe të aktit të bashkëpronësisë, i cili për herë të parë hyn si një koncept i ri.
Projekti përfshin ngritjen e asamblesë së bashkëpronarëve, format e administrimit të bashkëpronësisë.
Hartimi i tij i është nënshtruar një procesi të gjatë konsultimesh me grupet e interesit, asistencës teknike të ofruar nga IFC, si dhe është mbështetur në legjislacionin e disa vendeve të tjera, si SHBA, Britani e Madhe.