“Rama ka hallin për humbjen e zgjedhjeve”
Astrit Patozi, kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së
TIRANE - Kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së Astrit Patozi gjatë fjalës së mbajtur dje në Parlament, seanca e parë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, solli dhe njëhërë ndërmend emocionet e pafundme të qindra e mijëra qytetarëve të cilët dolën për të festuar në sheshin “Skënderbej”, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Patozi tha se “dje në sheshin “Skënderbej”, dhjetëra e mijëra qytetarë festuan në mënyrë dinjitoze ditën e madhe të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, duke përfaqësuar kështu vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
Kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi tha më tej se, “me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ne sot jemi një prej vendeve më të fuqishme të botës, mes vendeve më të lira të botës dhe vendeve më demokratike të botës, përjetësisht në krah të tyre”. Kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi gjatë fjalës së tij shigjetoi kryetarin e PS, kur u shpreh se “kam dëgjuar sot dikë që thoshte se festa ka mbaruar, në fakt është e vërtetë, festa ka mbaruar, por jo domosdoshmërisht, diku, dikush duhet patjetër që të vajtojë sot”.
Duke sjellë në vëmendje deklaratën e djeshme të liderit të opozitës, Patozi tha se, “unë kam dëgjuar sot vajin e kryetarit të PS-së, kam dëgjuar ankimin e tij për zgjedhjet e 28 qershorit, por është fatkeqësi e madhe që një kryetar partie hallin e tij kërkon ta shndërroj në hallin e gjithë partisë, hallin e një partie kërkon ta shndërrojë në hallin e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë vendit”.
Duke kujtuar përgjithësimin që kryetari i selisë rozë u bën problematikave të tija personale, duke i kthyer ato në hall të të gjithë shqiptarëve, Patozi u shpreh se “mëndja e një kryetari partie nuk mund të jetë kurrsesi problem i të gjithë Shqipërisë. Vetëm një kryetar i papërgjegjshëm mund ta çojë partinë e tij duke vajtuar në zgjedhje, ndërkohë që një kryetar i përgjegjshëm e çon partinë e tij në zgjedhje, minimumi me entuziazëm. Vetëm një kryetar i papërgjegjshëm hallin e tij, apo të një grushti njerëzish rrotull tij kërkon ta shndërrojë në një problem për të gjithë vendin, dhe aq me keq për të ardhmen e vendit”.
Duke sjellë në vëmendje ankesat e vazhdueshme të kryetarit të PS-së, Patozi tha se “Gjatë këtyre ditëve kemi dëgjuar më shumë trishtim përrallën dhe legjendën e kartave të identitetit, mjerim i opozitës”.
Mes ironisë Patozi tha se “gjatë këtyre ditëve kemi dëgjuar dhe problemin me maternitetin e Beratit, i cili ishte i barazvlefshëm me hyrjen e Shqipërisë në NATO”.
Për të nxjerrë një rezultante të të gjithë këtyre ankesave të liderit të PS-së, Patozi tha se “Gjatë këtyre ditëve kemi parë bezdisjen e Kryetarit të PS-së i cili ka dashur të prishë një festë të të gjithë shqiptarëve. I fundit që uroi hyrjen e Shqipërisë në NATO, përkoi me një shtatanizëm politik, meskinitet, ku me një xhelozi të ulët politike, kërkoi që të festojë një ditë përpara se sa të festonin 96 për qind e shqiptarëve, dhe ju e keni parë vetë se cili ishte kontrasti”.
Në përfundim të fjalës së tij Patozi tha se Mes dy festimeve është në fakt kontrasti që ekziston mes mazhorancës dhe opozitës, e cila për fat të keq përfaqësohet nga një njeri i dështuar, i cili po vajton që tani humbjen e tij edhe për dy muajt e ardhshëm. Mazhoranca është e vendosur për të siguruar zgjedhje të lira dhe tëe ndershme”, përfundoi fjalën e tij, Kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi.