E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përshëndet hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës



Kryeministri Berisha ka përshëndetur dje hyrjen sot në fuqi të Traktatit të Lisbonës, duke e cilësuar ditën e djeshme, një ditë historike kjo për Bashkimin Europian, për qytetarët e Europës, por edhe për të gjithë ata qytetarë që aspirojnë anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Europian, siç janë qytetarët shqiptarë. “Nga kjo ditë, Bashkimi Europian, ndofta mrekullia europiane e të gjitha kohërave, është tjetër, ka presidentin e vet, të zgjedhur me konsensus të plotë nga të gjithë kryetarët e shteteve dhe vendeve anëtare, me kompetenca të qarta që i jep ligji, që i jep Traktati i Lisbonës, me kompetenca të reja për Parlamentin Europian, shumë më të fuqishme se ato para datës 1 dhjetor, me një përfaqësues të lartë që ‘de facto’ është ministri i Jashtëm i BE-së. Pra, për ne, shqiptarët, që kemi projektin tonë më madhor, projektin ëndërr, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kjo është një ditë shumë e rëndësishme, pasi miratimi i traktatit të Lisbonës dhe instituimi i institucioneve të reja e bën procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian për vendet e rajonit tonë një proces në qendër të vëmendjes, një proces me mbështetje, një proces, i cili, jam i bindur se do të ecë më shpejt nga sa parashikohej”, - është shprehur Berisha, ndërsa po gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një bisedë telefonike me drejtuesin e lartë të BE-së, Zhak Barrot.

Festohet në Elbasan 100-vjetori i themelimit të Normales

Është festuar dje në qytetin e Elbasanit 100-vjetori i themelimit të Shkollës Normale, të cilën kryeministri Berisha, i pranishëm në aktivitetin festiv, e cilësoi të parin universitet në Shqipëri. “Krijimi i Normales dhe Kongresi i Arsimit janë ngjarje të mëdha në historinë e kombit, dhe kjo ditë shënon një festë të vërtetë kombëtare për dijen, shkollën, arsimin, mësuesin, fëmijën, nxënësin, studentin dhe prindin. Normalja e Elbasanit ishte tempulli i vokacionit tonë kombëtar perëndimor. Ata që zgjodhën alfabetin midis dhjetëra alfabeteve dhe i dhanë gjuhës shqipe germat latine, i dhanë germat me të cilat kishte lindur ndoshta, themeluan edhe Normalen, si tempull të vokacionit tonë perëndimor. Normalja është universiteti i parë i shqiptarëve, është universiteti i të gjitha universiteteve, dhe kjo është e vërteta e saj”, - është shprehur Berisha gjatë fjalës së tij. Kryeministri theksoi se qeveria do të vazhdojë reformën në arsim dhe do të angazhojë të gjitha burimet financiare për realizimin e saj. “Reforma në arsim do të vazhdojë. Qeveria është e vendosur që të angazhojë të gjitha burimet njerëzore dhe financiare për realizmin e saj. Nuk ka dhe nuk mund të ketë qëndrim demokratik real pa një arsim, edukim të zhvilluar dhe këtu ne jemi të përqendruar me të gjitha potencialet dhe burimet që disponojmë”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›