Ligji 7501, 25% e pronave nuk është e regjistruar
Ndërsa MB thekson ndalimi i ligjit 7501 prek vetëm 1% të pronave të pandara me këtë draft
TIRANË- Republikanët kanë ndërmarrë prej muajsh nismën për të ndaluar veprimin e ligjit 7501 "Për tokën", në një kohë që nga sipërfaqja e tokës bujqësore së parashikuar për t'u ndarë ka mbetur vetëm 1.2 për qind pa u ndarë ende. Kjo shifër konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Bujqësisë, e cila në një informacion që i dërgon komisionit parlamentar të ligjeve thotë se, nga komisionet e tokës, që nga nisja e zbatimit të ligjit, është ndarë 98.8 për qind e sipërfaqes prej 563 mijë hektarësh të parashikuar për ndarje. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, deputeti nismëtar Arjan Madhi ripërsëriti gjatë seancës së djeshme plenare se, thelbi i nismës është të ndalojë abuzimin dhe grabitjen e tokës bujqësore me anë të ligjit 7501. Por, ky argumentim i republikanit Madhi nuk ka bindur deputetët socialistë, të cilët kanë kundërshtuar ndalimin së vepruari të tij pas 31 dhjetorit 2007, siç parashikohet. Deputetët socialistë Erion Braçe dhe Rajmonda Stefa janë shprehur se, abuzimet dhe grabitjet me tokën bujqësore nuk mund të ndalen edhe po u ndal veprimi i ligjit. Më tej, nënkryetari i grupit kuvendor socialist shprehu shqetësimin se, procesi i ndarjes së tokës bujqësore ende nuk ka përfunduar, duke qenë se, sipas tij, rreth 25 për qind e personave që kanë marrë tokë nuk kanë ende certifikatën e pronësisë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. "25 për qind e njerëzve që kanë marrë tokën me ligjin 7501 s'janë të certifikuar dhe ka ende çështje në konflikte", tha Braçe, duke ngritur shqetësimin se me cilin ligj do të rregullohen problemet e lindura nga 7501 nëse ai do të ndalë veprimin e tij. Në përgjigje të Braçes, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se regjistrimi i tokave në ZRPP nuk është objekt i projektligjit që diskutohej në Parlament. Gjithsesi, Patozi sqaroi se projektligji nuk synon zhdukjen e efekteve të ligjit 7501. "Të gjitha ata që e kanë marrë tokën në bazë të këtij ligji e kanë gëzuar, e gëzojnë dhe do ta gëzojnë edhe më tej. Thelbi i ligjit është të ndalë abuzimet. Në thjesht po heqim instrumentin e abuzimit",- u shpreh ai.
Diskutimi për pronat
TIRANË- Deputetët socialistë kanë dhënë dje miratimin për shtyrjen e afatit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara për të kërkuar të drejtën e pronësisë së tyre. Kjo ka qenë dhe e vetmja pikë, në dy nismat e ndërmarra nga deputeti republikan Arjan Madhi, që socialistët nuk kanë shprehur kundërshtimin e tyre. Gjatë diskutimit për ndryshimet e propozuara në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", deputetët socialistë Erion Braçe dhe Raimonda Stefa kundërshtuan e argumentuan këtë aprovim të kësaj pike me arsyetimin se ish-pronarët duhet të kenë të drejtë të kërkojnë pronën e tyre. "Për t'i dhënë kohë ish-pronarëve për të kërkuar pronat e tyre, jemi dakord, le të shtyhet afati", është shprehur nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Braçe. Por, nga ana tjetër, ai ka kundërshtuar pikat e tjera të nismës së republikanit Madhi, siç është kërkesa e blerjes së truallit nga një pronar që ka ndërtuar një shtëpi pas vitit 1992, sipas lejes së ndërtimit, por që nuk e ka të hipotekuar këtë truall. Në nismën e tij, Madhi kërkon që, për ndërtimet e ngritura pas vitit 1992 vlerësimi i truallit të bëhet në bazë të vlerës fillestare të truallit dhe indeksit të rritjes së çmimeve. Por, një gjë e tillë është kundërshtuar edhe nga komisioni parlamentar i Ekonomisë.