Kaos në Kuvend, mungesa e ministrave shtyn projektligjet
Seanca plenare dështon për të tretën herë në miratimin e drafteve të rëndësishme për shkak të kuorumit
TIRANË- Mungesa e kuorumit, por edhe e ministrave të kabinetit qeverisës, ka sjellë dështimin e seancës së djeshme të Parlamentit. Pas disa orëve diskutimesh, seanca është mbyllur pa mundur të realizohet votimi i asnjë prej projektligjeve në rendin e ditës, duke përfshirë edhe dy projektligjet që kanë të bëjnë me pronat. Kjo pasi, vetëm 64 deputetë kanë qenë të pranishëm në sallë, dhe mes atyre që mungonin, një pjesë e mirë ishin anëtarë të kabinetit qeverisës, duke nisur që nga vetë Kryeministri Berisha; zëvendëskryeministri Gazmend Oketa; ministri i Bujqësisë Jemin Gjana; ministri i Mjedisit Lufter Xhuveli, si edhe ministra të tjerë të kabinetit. Të vetmit anëtarë të qeverisë që kanë qenë dje në seancë janë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili nuk ka të drejtë vote pasi nuk është deputet, si dhe ministrat Ritvan Bode dhe Majlinda Bregu. Por, edhe këta të fundit nuk kanë qenë të pranishëm përgjatë gjithë seancës. Ministri i Financave ka ardhur në Parlament vetëm pas kërkesës që bëri grupi parlamentar i PS-së për të, duke qenë se diskutohej një ndryshim në ligjin "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", ndërsa ministrja e Integrimit ka ardhur gjatë fundit të diskutimeve të ditës. Për shkak të mungesës së ministrave në sallë, por edhe të kuorumit, disa nga projektligjet e rendit të ditës shënojnë shtyrjen për të dytën apo për tretën herë. Të tillë janë projektligjet për ndërtimin e fabrikës së çimentos në zonën e Krastë-Krujës, i cili nuk është diskutuar dhe votuar dje për të dytën herë, duke qenë se mungonte ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili ndodhet në një samit ndërkombëtar për mjedisin. Edhe në seancën e kaluar, ky projektligj nuk u votua për shkak se socialistët kërkuan shpjegime nga ministri Xhuveli, i cili sërish nuk ndodhej i pranishëm në sallë. Ndërkohë, ndryshimet e propozuara nga deputeti Arjan Madhi në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" u shtynë dje për herë të tretë. Nëse dje ai nuk u votua për shkak të mungesës së kuorumit, dy seancat e kaluara ai as që u fut në diskutim; seancën e parë, për shkak se deputeti Madhi ishte në përbërje të një delegacioni jashtë vendit, ndërsa në seancën e dytë për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore. Edhe nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, evidentoi dje mungesën e ministrave për ligje të rëndësishme, siç është edhe ai i pronave. "Për ligje të tilla, siç është ai i pronave, është e pafalshme që të mos ketë anëtarë të kabinetit të pranishëm. Është e turpshme që kërkoni nga ne përgjegjësi që të votojnë, kur të mos jenë të pranishëm anëtarët e kabinetit qeverisës". Një nga arsyet e shtyrjes së procesit të votimit në seancë plenare ka të bëjë edhe me faktin se, mjaft delegacione zyrtare shoqërojnë krerët e lartë të shtetit shqiptar në vizitat që ata bëjnë jashtë vendit. Kështu, ndërsa dje të pranishëm në sallën ishin vetëm 64 deputetë, një delegacion deputetësh shoqëronte kryeparlamentaren Topalli në vizitën e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në përbërje të të cilit ishin edhe Pandeli Majko dhe Ferdinand Xhaferri. Një fenomen i tillë ka ndodhur edhe dy javë më parë, ku votimi u shty për shkak se të pranishëm ishin vetëm 53 deputetë, kur një pjesë e mirë e atyre që mungonin ishin në përbërje të delegacionit të Presidentit Topi dhe të Kryetares së Kuvendit, Topalli. Kjo e fundit vetëm gjatë vizitës në Turqi ishte e shoqëruar me 11 deputetë.
Të tillë janë projektligjet për ndërtimin e fabrikës së çimentos në zonën e Krastë-Krujës, i cili nuk është diskutuar dhe votuar dje për të dytën herë, duke qenë se mungonte ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili ndodhet në një samit ndërkombëtar për mjedisin. Edhe në seancën e kaluar, ky projektligj nuk u votua për shkak se socialistët kërkuan shpjegime nga ministri Xhuveli, i cili sërish nuk ndodhej i pranishëm në sallë
Ndryshimet e propozuara nga deputeti Arjan Madhi në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" u shtynë dje për herë të tretë. Nëse dje ai nuk u votua për shkak të mungesës së kuorumit, dy seancat e kaluara ai as që u fut në diskutim; seancën e parë për shkak se deputeti Madhi ishte në përbërje të një delegacioni jashtë vendit, ndërsa në seancën e dytë për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore.
Mungesa e deputetëve për shkak të rrugëve jashtë ka ndodhur edhe dy javë më parë, ku votimi u shty për shkak se të pranishëm ishin vetëm 53 deputetë, kur një pjesë e mirë e atyre që mungonin ishin në përbërje të delegacionit të Presidentit Topi dhe të Kryetares së Kuvendit, Topalli. Kjo e fundit vetëm gjatë vizitës në Turqi ishte e shoqëruar me 11 deputetë të Kuvendit .
Braçe për mungesën e ministrave
"Për ligje të tilla, siç është ai i pronave, është e pafalshme që të mos ketë anëtarë të kabinetit të pranishëm. Është e turpshme që kërkoni nga ne përgjegjësi që të votojnë, kur të mos jenë të pranishëm anëtarët e kabinetit qeverisës"
Projektligjet që nuk u votuan
-"Për heqjen nga fondi pyjor kombëtar i parcelave në ekonominë pyjore Krastë-Krujë, që do të përdoren për ndërtimin e fabrikës së çimentos për karriera nga shoqëria "GENER 2" sh.p.k"
-"Për miratimin e marrëveshjes minerare të shfrytëzimit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë "GENER 2" sh.p.k"
-"Për disa shtesa në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995 "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", të ndryshuar".
-Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin e kompensimin e pronës", të ndryshuar".
-Projektligji "Për një shtesë në ligjin nr.7501, datë 19.7.1991, "Për Tokën", të ndryshuar".
Kush mungoi nga ministrat
Sali Berisha
Gazmend Oketa
Lulzim Basha
Bujar Nishani
Sokol Olldashi
Jemin Gjana
Lufter Xhuveli
Fatmir Mediu
Nard Ndoka
Genc Ruli
Ylli Pango
Genc Pollo
Koço Barka