E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji Antimafia dhe nevoja për të inkurajuar Prokurorinë

Eduard Halimi 

Ditë më parë, opinioni publik u përfshi në një debat, për ligjin kundër Krimit të Organizuar, të quajtur “Ligji Antimafia”. U përfshinë në këtë debat  analistë e “shkencëtarë” të së drejtës, por edhe kolegë të mi politikanë të opozitës,  të cilët dukeshin shumë të mërzitur për këtë hap që qeveria do të ndërmerrte.  Unë prisja në fakt, që prokurorët të gëzoheshin me këtë ngjarje, sepse qeveria po i jepte disa armë më shumë për të luftuar krimin e organizuar, por dhe ata mu dukën të mërzitur ( nuk jam i sigurt më shumë apo më pak se të parët), ndaj e çmova se duhet të flisja, jo për të hequr mërzinë e të parëve, por për të inkurajuar prokurorët dhe për të larguar keqkuptimet dhe keqleximet që i bënë projektligjit të gjithë ata që folën. Qeveria dhe ekspertët më të mirë të maxhorancës, jo vetëm që kanë hartuar një projekt ligj të standardeve më të mira evropiane, por sollën në vëmendje të publikut vullnetin politik, për të trajtuar çështjen e krimit të organizuar në mënyrën më serioze. Sot jo vetëm  maxhoranca, por e gjithë klasa politike, duhet të jetë në krah të luftës kundër krimit të organizuar, për t’i treguar gjithë popullit shqiptar dhe komunitetit ndërkombëtar, se klasa politike shqiptare ka bërë dhe do të bëjë maksimumin e saj, për të mbështetur të gjithë organet e drejtësisë në luftën kundër krimit.
Sot e gjithë klasa politike duhet të jetë në të njëjtën anë, dhe t’i japë kurajo të gjithë njerëzve të drejtësisë, atyre që janë gati të sakrifikojnë dhe jetën për të luftuar krimin e organizuar. Dhe jo vetëm klasa politike, por të gjithë aktorët sot duhet të jenë inkurajues për Policinë e Shtetit dhe t’i mbështesin ata duke i garantuar se ky ligj do të zbatohet dhe interpretohet me korrektësi nga prokuroria dhe gjykata dhe se kriminelët që ata do të kapin do të përballen me forcën më të madhe të shtetit kundër krimit.
I them sot këto, jo vetëm se gjatë këtyre ditëve ka pasur disa qëndrime të kundërta me vullnetin e maxhorancës për luftën kundër krimit, por edhe për faktin se ato krijojnë konfuzion dhe rrjedhimisht dekurajojnë njerëzit e ligjit në luftën kundër krimit.
Projektligji nuk i jep atribute policisë, siç është thënë në media, si nga opozita apo dhe disa operatorë të tjerë, që të sekuestrojë vetë çdo pasuri kundër çdo personi, kur ka dyshime. JO. Ky ligj i jep kompetenca funksionale vetëm prokurorisë dhe gjykatës për të sekuestruar pasuritë. Policia nuk është subjekt që punon në mënyrë vullnetare dhe të pavarur. Absolutisht, ajo nuk mund të marrë asnjë masë pa një vendim gjyqësor të kërkuar nga prokurori. Policia gjyqësore, sipas të gjithë legjislacionit shqiptar prej vitit 1995, kryen detyrat vetëm të urdhëruara nga prokurori i cili ka ekskluzivitetin sipas Kushtetutës për ndjekjen penale.
Për më tepër prokuroria nuk do të kërkojë sekuestrimin e çdo pasurie të dyshimte, për çdo person të dyshimtë, por vetëm pasuri të atyre personave që janë subjekte të këtij ligji. Dhe subjekte te ligji janë vetëm ata persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me krimin e organizuar.  Ndaj çdo aludim i bërë, para pak ditësh, është jo vetëm keqinterpretim dhe keqlexim i projektligjit, por edhe i dëmshëm për operatoret e drejtësisë. Në ndryshim të qartë nga ligji nr. 9284, 30.09.2004,  ky projektligj saktëson se masat parandaluese zbatohen ndaj pasurisë së personit të dyshuar (in rem) dhe jo ndaj personit (in personam). Procesi kundër pasurisë do të bëhet sipas KPC dhe jo KPP, duke garantuar nga njëra anë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe duke kaluar nga ana tjetër barrës së provës te personi që zotëron këto pasuri. Ndaj unë sot doja t’i jepja një mesazh të qartë, jo vetëm subjekteve të këtij ligji, të cilët jam i bindur se do të duhet të rrinë netë pa gjumë nga frika e kësaj lufte, por mbi të gjitha ti jap një mesazh të qartë dhe kurajo, atyre njerëzve të ndershëm, që luftojnë me krimin, policisë, prokurorisë dhe gjykatësve, se në jemi me ta dhe kanë mbështetjen tonë maksimale në luftën e tyre të drejtë mes të mirës dhe të keqes.
Unë ftoj jo vetëm opozitën por dhe të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, përfshi dhe shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të shprehen hapur pro luftës kundër krimit të organizuar dhe të inkurajojnë sot më shumë se kurrë, operatorët e sistemit të drejtësisë, policinë, prokurorët dhe gjykatësit për betejën e madhe që ata i pret me miratimin e këtij projektligji, pasi ata kanë nevojë më shumë se kurrë për t’i dhënë këtë kurajo.

Deputet i PD, Sekretar i Komisionit të Ligjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›