E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta-Droutsas: Greqia, nismë që Shqipëria të jetë në BE brenda 2014

 

Greqia mbështet politikisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe do të kontribuojë në realizimin e këtij procesi. Kjo garanci u dha dje nga ministri i Jashtëm plotësues i Greqisë, Dimitris Droutsas në takimin e zhvilluar në Tiranë me zv.kryeministrin Ilir Meta.
“Kërkesa e Shqipërisë për t’u integruar është depozituar tashmë në KE dhe të gjithë ne shpresojmë në një përgjigje të shpejtë dhe pozitive nga ana e KE dhe ashtu sikurse e theksuam, Greqia është gjithmonë e gatshme dhe t’i qëndrojë në krah Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Bashkë kemi diskutuar për mënyrat që ne duhet të gjejmë që përveçse përkrahjes politike që Greqia do t’i japë Shqipërisë, të kontribuojë dhe në nivel praktik për çdo gjë që Shqipëria mund të ketë nevojë”, tha Droutsas pas takimit. Vizita e diplomatit grek ndërmerret në kuadër të një turi rajonal, në të cilën po kërkohet në zbatim ideja e kryeministrit grek Papandreu për anëtarësimin në BE e të gjithave vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda 2014. “Kjo është një datë me një simbolikë të veçantë. Bëhet fjalë për 100 vjet pasi u shpall Lufta e Parë Botërore, një ngjarje që ka lënë ende plagë të hapura që Ballkani i vuan ende sot e kësaj dite”, theksoi diplomati grek. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Ilir Meta e vlerësoi së tepërmi iniciativën e marrë kreu i ri i qeverisë së shtetit fqinj. “Ne jemi shumë të lumtur për këtë impuls të ri e të fuqishëm që Greqia dhe Kryeministri Papandreu duan t’i japin anëtarësimit të vendeve tona në BE. Dhe kjo nuk është diçka e re. Bazat e këtij progresi të vendeve tona drejt BE, janë hedhur në mënyrë tepër solide, pikërisht në Samitin e Selanikut. Dhe është pikërisht ky vizion i BE, i forcuar që me Samitin e Selanikut, i cili na ka ndihmuar sot që të jemi në një stad të ri në raport me BE”, tha Meta. Diplomati grek në të njëjtën kohë ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të minoritetit dhe identiteti i tyre.
Pakti detar
Në lidhje me marrëveshjen për përcaktimin e kufijve detarë ndërmjet dy vendeve, ministri Meta tha se: “Eshtë spekuluar në lidhje me të”. “Parlamenti nuk ka stopuar procedurat e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, por Parlamenti për arsye edhe të atyre ndjeshmërive që mund të jenë krijuar dhe për fat të keq edhe të asaj fushate dezinformuese aq më keq që bëjnë edhe drejtues të lartë të opozitës, është treguar i hapur, për t’i dhënë më shumë kohë edhe opinionit publik dhe të gjithë atyre, që janë të interesuar për të kuptuar që kjo është një marrëveshje me interes dypalësh. Dhe mund t’ju them që kjo është një marrëveshje më me shumë interes për Shqipërinë, sepse ne duam të bëhemi pjesë e BE, ndërsa Greqia është pjesë e saj prej dekadash”, tha Meta. Ndërsa ministri grek tha se: “Ne e konsiderojmë që kjo marrëveshje është në interes reciprok të dy vendeve tona. Ka të bëjë me kuadrin e marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë dhe përbën dhe një hap shumë të mirë që po bën Shqipëria drejt perspektivës së saj evropiane për të cilën edhe ne e kemi theksuar angazhimin tonë për integrimin e Shqipërisë në BE. Përsa i përket procedurës së ratifikimit, çdo vend ka procedurat e veta të ligjshme”.   b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›