E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji “Antimafia”, ministri Nishani: Kusht kryesor për integrimin në BE, s’është antikushtetues

Mazhoranca shprehet se implementim i ligjit është domosdoshmëri, ndërsa fton opozitën të bashkëpunojë për “Antimafia”-n në sekuestrimin e aseteve të krimit

Ligji “Antimafia” nuk shkel asnjë parim kushtetues dhe aq më pak liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Hartimi i tij, ishte kusht i domosdoshëm, për proceset integruese të vendit dhe për të u angazhuan ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Qëndrimi vjen nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili shprehet se ligji është hartuar me asistencë të specialistëve më të mirë shqiptarë.
“Ligji është miratuar nga qeveria shqiptare dhe më pas nga Parlamenti, pas një pune disamujore të specialistëve shqiptarë por dhe një angazhimi të drejtë për drejtë të ekspertëve të të gjitha misioneve ndërkombëtare që asistojnë institucionet shqiptare në hartimin e legjislacionit”- u shpreh ministri Nishani.
Ministri i Drejtësisë tha se deri më tani ka 5 raste të aplikimit të ligjit “Antimafia”, kryesisht për persona të arrestuar si pjesë e organizatave kriminale.
“Jemi informuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që bazuar pikërisht në këtë ligj, Prokuroria ka adresuar pesë çështje kërkesash të sekuestrimit të pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme nga individë që i takojnë grupeve kriminale dhe për të pestë rastet gjykata e krimeve të rënda i ka gjetur të bazuara në ligj pretendimet dhe kërkesën e prokurorisë dhe ka marrë vendimet për sekuestrimin e këtyre aseteve”- tha më tej ministri Bujar Nishani.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese, mori në shqyrtim një kërkesë për shpalljen e ligjit “Antimafia” si antikushtetues, pasi cenon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe praktiken e gjykatës së Strazburgut.
Por nga ana tjetër, shumica parlamentare mbron qëndrimin racional se ligji është në përputhje të plotë me çdo rekomandim të ndërkombëtarëve dhe se zbatimi me efiçencë i tij mbetet parakusht për integrimin në Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›