E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanci pozitiv vjetor i aleancës qeverisëse PD-LSI

Pas një viti nga firmosja e Koalicionit të Integrimit, vendi është gjithnjë e më pranë standardeve të Bashkimit Evropian. Vendimi për vizat dhe marrja e statusit të kandidatit, në vjeshtën e këtij viti, nënkuptojnë 1 vit kalendarik pozitiv të Qeverisë së Integrimit

TIRANë- Mbushen plot 1 vit nga formimi i koalicionit qeverisës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që shënoi për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë, një bashkëpunim të tillë mes dy forcave, të cilat vinin nga krahë të ndryshëm politik. Pavarësisht këtij fakti, aleanca PD-LSI u zyrtarizua ditët e para të shtatorit, me betimin e qeverisë “Berisha 2” në Parlament, nga ku startoi angazhimi i përbashkët për realizimin e reformave. Ishte ky moment i rëndësishëm, më madhori në historinë politike pas zgjedhjeve, që solli një nga frytet më të çmuara në vend, pasi për herë të parë u thye tabuja e hapjes së koalicionit edhe përtej pikëpamjes ideologjike, për hir të interesit të përbashkët, interesit kombëtar. Dhe kjo, detyrimisht meriton të cilësohet si një nga lëvizjet më të zgjuara që ka aplikuar ndonjëherë politika shqiptare, pasi iu përgjigj njëzëri thirrjes së shqiptarëve, votuesve dhe qytetarëve për unitet politik, me synimin e vetëm mos cenimin e rrugës së integrimit.
Përfaqësues të mazhorancës e cilësojnë bashkëpunimin qeverisës PD-LSI si koalicionin më funksional që është njohur ndonjëherë dhe se është meritë e këtyre dy forcave politike që gjatë 1 viti me radhë s’ka patur as dyshimin më të vogël.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së dhe njëherazi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u shpreh se ky bashkëpunim do vazhdojë të jetë në njëjtat nivele, për të përçuar një mesazh të qartë drejt ndërkombëtarëve, se politika kërkon integrimin përmes kompromisit dhe realizimit të reformave.
“Koalicioni po funksionon. Po ecim të qetë drejt integrimit, ku veçanërisht heqja e vizave dhe statusi kandidat, procese këto që finalizohen brenda vitit, janë rezultat i punës së aleancës qeverisëse PD-LSI. Qeveria po funksionon, kjo ishte një provë e suksesshme e funksionimit të aleancës mes së majtës dhe së djathtës. Ky bashkëpunim do vijojë të jetë konstant dhe gjatë zgjedhjeve lokale, për të maksimalizuar funksionalitetin e koalicionit dhe njëherazi çuarjen në një tjetër dimension të reformave dhe progresit”- u shpreh Vasili.
Mazhoranca cilëson se fryma e marrëdhënieve në politikën shqiptare është neutrale, pavarësisht provokimeve të opozitës. Qeveria e udhëhequr nga PD dhe LSI, gjatë një viti kalendarit s’ka njohur asnjë ‘krisje’ apo thënë më qartë tendencë për krizë dhe mungesë bashkëpunimi. I njohur si një nga koalicionet më fryt dhënës, Berisha dhe Meta i treguan jo vetëm politikës shqiptare, por edhe asaj ndërkombëtare se Shqipëria s’ka kohë për të humbur dhe se do vazhdojë turravrapin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Por në sens të kundërt me këtë vazhdon të qëndrojë opozita, e cila prej muajsh të tërë hedh vallen e vajit, në shenjë nihilizmi, për suksesin e shënuar në arenën politike. Humbja e zgjedhjeve dhe mos kapërdirja e një prej dështimeve fatale të Edvinit, i detyroi kasnecët e opozitës të ngjiten pas pretendimeve për parregullsi në zgjedhje dhe shkelje të standardeve të OSBE/ODIHR.
Kësisoj, pavarësisht se ka kaluar plot 1 vit nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Edi Rama dhe ndjekësit e zakonshëm të tij ende s’kanë kuptuar se kurrsesi s’mund të dalin të fituar nga kjo betejë e nisur keq dhe e koleksionuar si një nga sjelljet që nga fillimi deri në fund vetëm janë dënuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›