E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji “Për Mbetjet” dhe KLSH, Kuvendi rrëzon dekretet e Topit

03-11-2011 / Gazeta 55

73 vota “Pro” dhe 59 kundër 


UPDATE- Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi vetëm pak minuta më parë dekretin e presidentit të Republikës, për ligjin e Mbetjeve si dhe atë për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Me 73 vota “Pro” dhe 59 kundër, Kuvendi rrëzoi kthimin e ligjit, duke i dhënë automatikisht hyrjen në fuqi ligjore, të ligjit që parashikon menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane. Votimi erdhi pas debateve të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, ku këta të fundit e kundërshtuan projekt/ligjin, me pretendimin se përmes importit të Mbetjeve, në Shqipëri mund të vijnë lëndë të rrezikshme. Por, ekspertët dhe hartuesit e draftit, japin garanci se ligji është ndërtuar me asistencë ndërkombëtare dhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, ndërsa pjesë e importit do jenë vetëm 50 mbetje nga 250 të tilla, që aplikohet në vendet e tjera të unionit 27 anëtarësh.  


Diskutime gjatë seancës, Berisha: Sot hedh themelet “Partia e Plehut”


Nisur nga diskutimet e ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, për ligjin e “Menaxhimit të Mbetjeve”, ka reaguar kryeministri Sali Berisha, i cili duke e quajtur ligjin brenda standardeve të Bashkimit Evropian, u shpreh se kundërshtarët e tij, sot “hedhin bazat e ngritjes së Partisë së Plehut”. "Kjo ditë shënon de facto themelimin e “Partisë të Plehut”. Pasi u themelua “Aleanca e Plehut” u përhap epidemia “o burra se po kërkohet vota në plehra”- u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit, ligji për Mbetjet mbron Shqipërinë nga mbetjet toksike, ndërsa i cilësoi deklaratat e deputetëve socialistë si shpifje. “Thelbi dhe qëllimi i ligjit është mbrojtja nga mbetjet toksike. Por le ti shohim gjëra jashtë shpifjeve dhe sharjeve sesa ju sa më shumë shpifet aq më lart ecni në shtyllën e turpi. Opozita nuk ka alternativa për t’i paraqitur shqiptarëve, por e vetmja rrugë e tyre është krijimi i “Partisë së Plehut”. “Ky ligj i imponon qeverisë të përjashtojë me vendim të parlamentit të gjitha plehrat toksike. Ky ligj i imponon qeverisë që mbetjet jo toksike të lejohen të importohen jo si u vendos në 2003 ku këta zotërinj ishin në pushtet dhe duke zgjedhur partinë e plehur nuk do ta shohin pushtetin edhe pas 20 viteve”- theksoi kryeministri Berisha.


Bode, Opozitës: I jeni kthyer politikës së plehrave


Ministri i Financave, kritikoi sot në Kuvend opozitën për qëndrimin e saj ndaj ligjit të mbetjeve. “Eshtë për të ardhur keq që në këtë parlament nuk është diskutuar për asgjë tjetër të rëndësishme të këtij vendi, përveçse “alternativës së plehrave”- u shpreh gjatë seancës së sotme plenare, ministri i Financave, Ridvan Bode. “I jeni kthyer politikës së plehrave dhe si taktikë keni atë që keni patur, komplotin kundër evropianizimit të Shqipërisë”- tha ai.


Bregu: Ligji është sipas standardeve të BE


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu në fjalën e saj deklaroi se ligji është i nevojshëm dhe është një kusht për integrimin e në Bashkimin e Europian. Ajo nënvizoi se ligji i menaxhimit të mbetjeve, s’ka shkelje kushtetuese dhe se ky ligj rregullon riciklimin e mbetjeve. “Ky ligj plotëson një tjetër detyrim për rrugën e integrimit. Ligji menaxhimit të mbetjeve është në përputhje me direktivat e BE-së”- tha Bregu. Duke iu referuar deputetëve të opozitës Bregu tha “se askush nuk më bind mua se ju jeni në mbrojte të jetëve të qytetarëve, dhe ne po bëjmë të kundërtën, ndaj mos u bëni qesharak”. “Pranojeni se duhet të jemi me Europën, e cila ka ngritur një strategji të menaxhimit të mbetjeve. Ky ligj duhet të implimentohet sa më shpjet. Ky ligj është kryekëput evropian”- theksoi ministrja Bregu.


Mediu: Vetëm 50 mbetje janë listën e importeve


Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu u shpreh sot se ligji për mbetjet është hartuar duke u mbështetur në direktivat e Bashkimit Europian. Ai i bëri një sugjerim opozitës, për cilësimin korrekt të ligjit. “Ky është ligji i menaxhimit të mbetjeve dhe jo ligji i plehrave”, tha Mediu. Ai tha se ky ligj është diskutuar me të gjithë grupet e interesit. Ai tha se s’ka ardhur asnjë vërejte për ketë ligj deri sa ka mbërritur në Parlament. Sipas ministrit Mediu, vetëm 50 mbetje janë në listën e importeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›