E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, "jo" kërkesës për shtimin e policëve bashkiakë

Nuk do të ketë asnjë ndryshim në strukturën e policisë bashkiake të Durrësit, pavarësisht nevojës së paraqitur për më shumë efektiva në përballimin e punës. Këshilli bashkiak ka hedhur kështu poshtë kërkesën e drejtuar Këshillit të Ministrave për ndryshim të strukturës së policisë bashkiake. Një vendim i Këshillit të Ministrave në korrikun e vitit 2002 përcaktonte strukturën e kësaj policie në Durrës me 20 punonjës. 7 vjet më pas, situata me të cilën po përballet policia bashkiake është e ndryshme. Detyrat funksionale janë rritur dhe po ashtu edhe territori e popullsia në të cilën vepron. Kjo është një nga strukturat e përfolura dhe vitin e fundit ka kaluar dhe përmes arrestimit të bujshëm të disa prej punonjësve të saj të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion. "Duke hasur mjaft vështirësi në kryerjen e detyrave funksionale të policisë bashkiake me strukturën aktuale, ne kërkuam nga Këshilli Bashkiak që të miratojë kërkesën drejtuar KM-së për ndryshimin e VKM-së nr.313 të datës 01.07.2002, për sa i përket numrit të punonjësve të policisë bashkiake për qytetin e Durrësit nga 20 në 30 punonjës policie. Kërkesa bazohet në argumente bindëse", shprehet shefi i policisë bashkiake, Adriatik Velaj. E gjithë administrata bashkiake e mbështeti në këtë kërkesë, por ajo u hodh poshtë nga këshilltarët vendorë me shumicë votash. Këshilltarët demokratë dhe ata të LSI-së votuan kundër dhe në Bashkinë e Durrësit shprehen se kjo do të reflektohet në punën e kësaj strukture për periudhën në vazhdim. Shumë shpesh qytetarët durrsakë i drejtohen policisë bashkiake për të zgjidhur konfliktet, problemet që kanë në zonat e tyre të banimit, po jo në pak raste hasen në zvarritje të zgjidhjes së problemit dhe marrjes së një përgjigjeje që shtyn në kohë ndërhyrjen. Në bashki pretendojnë se kjo ndodh për shkak të angazhimeve të shumta. Qytetarët besojnë se punonjësit e policisë bashkiake, ashtu si dhe shumë struktura të tjera e institucione që ofrojnë shërbime për ta, nuk bëjnë gjë tjetër veçse i sorollatin dhe pas kësaj fshihet kërkesa e heshtur për ryshfet. Bashkia e Durrësit me kërkesën për rritjen në masën 50 për qind të punonjësve e ka argumentuar me ngarkesën e lartë përmes rritjes së detyrimeve, përfshirë këtu dhe rritjen e ankesave të qytetarëve që kërkojnë ndërhyrje në terren. Nevoja për të pasur nën kontroll të gjithë territorin e qytetit, sidomos lagjet periferike dhe ato informale të tij në prag legalizimi, kërkon rritjen e numrit të punonjësve të policisë bashkiake. Sezoni turistik dhe problemet e tij, shtimi i numrit të biznesit të vogël që ka kaluar pranë bashkive dhe për vjeljen e taksave kërkohet angazhimi i policisë bashkiake, kanë nxjerrë në pah nevojën për shtim të kësaj strukture, që njëkohësisht duhet të mbështesë dhe Inspektoratin e Ndërtimit në përmbushjen e detyrave. Por, kërkesa që Bashkia e Durrësit i drejton Këshillit të Ministrave për ndryshim të numrit të efektivave policorë bashkiakë, duhet më parë të marrë miratimin e këshilltarëve lokalë, të cilët në mbledhjen e fundit e kanë hedhur poshtë atë. Me shumicë votash nuk është miratuar në Këshillin Bashkiak të Durrësit as ndryshimi i kërkuar për strukturën e Inspektoratit të Ndërtimit në qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›