E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji antiduhan, zbatimi tani në duart e joduhanpirësve

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli: Do të kontaktohen aktorë dhe personazhe të njohura mediatike për të përcjellë mesazhin e fushatës

E pamundur që duhanpirësit t’i bindësh të mos konsumojnë duhan në ambiente të mbyllura e aq më pak të lënë duhanpirjen. Kjo me sa duket ka vënë në situatë të vështirë specialistët e shëndetësinë që kërkojnë zbatimin e ligjit antiduhan, duke parë që vetë duhanpirësit nuk i vret ndërgjegjja për dëmet që shkaktojnë tek të tjetrit që se konsumojnë kërkohet që ligji të zbatohet nga jo duhanpirësit. Po, po është e vërtetë. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kërkojnë që qytetarët joduhanpirës të denoncojnë pirjen e duhanit në ambiente që ndalohet me ligj. Dhe për këtë prej ditës së djeshme ka nisur zyrtarisht fushata në zbatim të ligjit antiduhan dhe kundër duhanpirjes. I përqendruar kryesisht tek sheshi tek Piramida, inspektorë të Drejtorisë së Higjienës, specialistë të Institutit të Shëndetit Publik si dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë dalë në terren duke shpërndarë fletëpalosje për të sensibilizuar qytetarët. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, z. Alban Ylli, shpjegon për “standard” arsyet e nisjes së kësaj fushate, si dhe strategjia që do të përdorin institucionet shëndetësore për zbatimin në praktikë të ligjit antiduhan.

Një fushatë sensibilizuese kundër duhanpirjes e ndërmarrë nga disa institucione shtetërore shëndetësore. Arsyet e fillimit të kësaj fushate dhe qëllimi që kërkoni të arrini përmes saj?

Po fillojmë fushatën, e cila nuk konsiston në rritjen e dëmeve që shkakton duhani. Kësaj radhe kemi vendosur që të përqendrohemi tek qytetarët shqiptarë që nuk janë duhanpirës. Tek kjo kategori ne duam të rrisim sensibilizimin kundrejt faktit se ata nuk duhet të jenë personat që vuajnë konsumimin e duhanit në ambiente ku është i ndaluar me ligj. Në këtë pikë ne nuk mendojmë të ndalojmë duhan pirjen por t’i bëjmë të ndërgjegjshëm jo duhanpirësit për të drejtat e tyre, dhe mendoj se një ndër to është edhe mos pirja e tymit të duhanit teksa një person përbri tij e konsumon duhanin në një lokal.

Çfarë strategjie po përdoret për të sensibilizuar qytetarët përveç daljes direkt në terren të specialistëve të shëndetësisë duke shpërndarë fletë-volanteve informative?

Ndër synimet kryesore të kësaj fushate është sensibilizimi dhe nxitja e qytetarëve që të denoncojnë konsumin e duhanit në ambiente të mbyllura. Presim që vetë qytetarët të bëhen koshientë për të drejtat e tyre. Për këtë janë vënë në dispozicion një numër telefoni ku mund të denoncohen shkeljet e ligjit në Drejtorinë e Shëndetit Publik në rrethin tuaj, në Tiranë në numrin 2268870.

Përmes këtij numri çdo qytetar mund të denoncojë shkeljet e ligjit dhe menjëherë pas kësaj rasti do të merret parasysh për të vepruar më pas nga organet kompetente. Ndërsa për qytetarët, që duan të lënë duhanin, mund të kërkojnë asistencë në numrin e telefonit 23 74 908. Gjithashtu, Drejtoria e Higjienës ka inspektorët të cilët veprojnë për të zbatuar ligjin. Por ajo çfarë akoma çalon është vjelja e gjobave nga qeveria lokale. Një tjetër plan është edhe bashkëpunimi me Drejtorinë Tatimore.

Gjatë ditës së sotme po shpërndahen materiale për sensibilizimin e opinionit publik për zbatimin e ligjit antiduhan. Pjesëmarrësit në këtë aktivitet do të jenë Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Drejtoria e Shëndetit Publik Tiranë si edhe një grup të rinjsh, të cilët do të shpërndajnë këto mesazhe për publikun e gjerë. Ndërsa Inspektorati Sanitar do t’i shpërndajë këto materiale nëpër bare e lokale në qytetin e Tiranës. Do të shihen mundësi dhe forma të tjera për të qenë në sytë e publikut.

Do të kontaktohen aktorë dhe personazhe të njohure mediatike që të bëhen figura qendrore e fushatës për të dhënë mesazhin e fushatës. Fushata do të vijojë edhe me diskutime në emisione televizive dhe radiofonike, me fletëpalosje, makina lëvizëse, si dhe duke komunikuar më afër me publikun, qytetarin shqiptar, që të bëhet më i ndërgjegjshëm për zbatueshmërinë e ligjit, pasi edhe thelbi i kësaj fushate nuk është edukator apo shëndetësor dhe nuk drejtohet tek dëmet, por tek qytetarët jo duhanpirës.

Të gjithë jemi më se të vetëdijshëm që duhani nuk konsumohet vetëm në kryeqytet, por edhe në rrethe. Do të ketë shtrirje gjeografike përtej Tiranës fushata?

Patjetër që do të ketë. Ky aktivitet javën e ardhshme do të shtrihet edhe në rrethet e tjera të vendit, pasi situata e duhanpirjes është problematike jo vetëm në qytet e mëdha, por edhe në rrethe. Aktualisht janë rreth 50 për qind duhanpirës meshkuj dhe 10 për qind femra. Por jemi shumë të bindur se fushata do të ketë efektin e vet, ku të paktën pas 10 vjetësh do të kemi më pak të sëmurë me kancer, pasi duhen marrë parasysh se duhanpirja në vendin tonë krahasohet me duhan pirjen që bëhet ne Kinë.

A ka një studim të mirëfilltë Instituti i Shëndetit Publik mbi duhanpirjen në vendin tonë dhe trendin që ka pësuar ky fenomen pas implementimit të ligjit antiduhan?

Të dhëna nga Ministria e Financave theksojnë se kanë vënë re një rënie të numrit të importeve të duhanit. Por nga ana tjetër, vetë Instituti i Shëndetit Publik do të zhvillojë një studim tejet të madh, studimi i demografisë dhe shëndetit mbi gjendjen shëndetësore. Në të sigurisht që do të përfshihet edhe një pyetësor për duhanpirjen.

Çfarë mesazhi kërkohet që të përcillet?

Të gjithë joduhanpirësit të luftojnë për të drejtat e tyre, ku pritet një reagim qytetar për të mos dëmtuar shëndetin e tyre vetëm sepse shoku përbri karriges tënde në një ambient të mbyllur konsumon duhan, por në këtë fushatë do të operohet edhe përmes inspektorëve sanitarë të cilëve Ministria e Shëndetësisë do t’u japë më shumë pushtet. Gjithashtu, do të shikohet që të ketë një rritje graduale të çmimit të paketave të duhanit, pasi ne mendojmë se është një ndër faktorët kryesorë për parandalimin e duhanpirjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›