E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji, bizneseve u tatohen dyfish të ardhurat që nuk u deklarohet burimi

Ervin KOÇI

Bizneset dhe të gjitha subjektet private duhet të tregohen të kujdesshme me deklarimin e të ardhurave në Administratën Tatimore. Ligji i ri "Për Tatimin mbi të ardhurat" të cilit qeveria ka planifikuar ti bëjë një sërë ndryshimesh, parashikon që ti tatojë subjektet me dyfishin e shumës normale në rast se nuk deklarojnë burimin e të ardhurave. Të gjitha të ardhurat që hyjnë në llogarinë e një kompanie me qëllim shtimin e kapitalit të saj, do të jenë objekt i tatimit mbi të ardhurat nëse ato nuk shoqërohen me faturat përkatëse që vërtetojnë burimin. Qeveria në ndryshimet në ligj, ka parashikuar tatimin e çdo të ardhure të pa deklaruar nga bizneset. "Të tatueshme janë edhe të ardhurat në formë monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë që nuk janë të tatuara më parë dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare që vërtetojnë origjinën e tyre", - citohen në nenin e propozuar nga qeveria. Projektligji sapo është dërguar në kuvend dhe pritet të shqyrtohet nga Komisioni i Ekonomisë.

Kontrolli i bilanceve

Duket se shkaku kryesor që ka detyruar ekzekutivin te propozojë aplikimin e një praktike të tillë ka të bëjë me pamundësinë për të verifikuar bilancet e kompanive. "Gjatë kontrolleve në terren nga administrata tatimore, janë evidentuar një serë rastesh ku shoqëri të ndryshme shtojnë kapitalin e tyre me të ardhura të tjera monetare, pa deklaruar origjinën e burimit të tyre", - theksohet në relacion. Një ndër ndryshimet e propozuara nga qeveria ka të bëjë edhe me uljen masës së gjobës që aplikohet ndaj kompanive të cilat vonohen në përcaktimin e destinacionit të fitimit pas tatimit. Sipas ligjit, të gjitha shoqëritë tregtare, pasi kanë paguar tatimin mbi fitimin duhet që brenda gjashtë muajve nga mbyllja e vitit financiar të miratojnë rezultatet e vitit të shkuar dhe të përcaktojnë destinacionin e fitimit të mbetur pasi është shlyer edhe tatimi mbi të. Projektligji detyron bizneset që të paraqesin pranë organeve tatimore bilancin e vitit paraardhës edhe nëse ai ka rezultuar me humbje apo zero. Në këtë rast subjekti duhet të paraqesë edhe arsyet që ai mendon se kanë qenë shkaktarë të humbjes duke përfshirë edhe masat për mbulimin e saj për vitin në vazhdim. Në të kundërt ndaj subjekteve ligji parashikon edhe gjoba dhe masa të tjera ndëshkuese, deri në sekuestrim apo bllokim të aktivitetit.

Sanksionet

Në bazë të propozimeve të qeverisë, gjoba për bizneset që vonojnë paraqitjen e këtij vendimi pas datës 31 korrik të çdo viti, nuk do të jetë më 25 mijë lekë për çdo muaj vonesë por 10 mijë lekë. Pas hyrjes në fuqi të dispozitave të këtij projektligji, personat të cilët janë pronarë të një biznesit të vogël të tatueshëm me TVSH-ë dhe shlyejnë detyrimet ndaj shtetit me këtë status, nuk do të jenë subjekt i tatimit mbi fitimin. Ligji u njeh atyre të drejtën që të kërkojnë të çregjistrohen në çdo kohë por jo të kalojnë si subjekte që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale mbi biznesin e vogël. Ndryshimet e propozuara së fundmi në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat" janë pjesë e një serë ndërhyrjesh të miratuara së fundmi nga parlamenti në sistemin fiskal. Muaj më parë, Kuvendi miratoi uljen e një serë taksash vendore për biznesin e vogël. Krahas kësaj, duke filluar që nga data 1 janar, të gjitha bizneset që kanë xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar.

18 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›