Subjektet private, mbaroi afati i regjistrimit “biznes i madh”
Papajani: “Bizneset nga 1 shkurti deklarimet vetëm me internet”
Nga data 1 shkurt e këtij viti të gjithë deklarimet e biznesit do të bëhen nëpërmjet internetit. Në këtë mënyrë, çdo tatimpagues do të shmangë çdo komunikim me përfaqësuesit e administratës tatimore. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, gjatë një takimi me Dhomën e Tregtisë Amerikane. Kjo procedurë e cila kishte nisur të aplikohej për biznesin e madhe tashmë do të shtrihet për të gjithë kategoritë, në muajin e ardhshëm. Gjatë këtij takimi anëtarët e Dhomës Amerikane kanë ngritur shqetësimin e ndryshimeve të shpeshta të ligjeve fiskale, çka ndikojnë direkt në aktivitetin ekonomik të tyre. Anëtarët i kërkuan drejtorit të tatimeve që sa herë të ndryshojnë ligjet, biznesi të vihet në dijeni, pasi një pjesë e mirë e gjobave apo penaliteteve vijnë si pasojë e mosnjohjes së ndryshimeve ligjore. Mbi të gjitha këto ndryshime bëhen në mënyrë të njëanshme nga qeveria pa u konsultuar më parë me biznesin.
Bizneset e vogla me xhiro 5-8 milionë lekë, që në bazë të vendimit të fundit të qeverisë do të konsiderohen si subjekt i TVSH-së, duhej të paraqiteshin deri në datën 15 janar në Drejtoritë Rajonale Tatimore për të kryer procedurën përkatëse. Me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr.1058, datë 21.10.2009, kufiri minimal i regjistrimit në TVSH-ë është ulur nga 8 në 5 milionë lekë. Kjo do të thotë që të gjitha ato biznese që parashikohet të tejkalojnë vëllimin e qarkullimit për vitin 2009 mbi 5 milionë lekë, do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Në zbatim të këtij Vendimi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nxjerrë Qarkoren Nr.1, datë 24.12.2009 “Për përcaktimin e procedurave për kalimin e subjekteve si subjekte të TVSH-së”. Sipas kësaj Qarkoreje, bizneset janë ndarë në dy kategori. Kategoria A: Të gjithë ata persona fizikë apo juridikë, qarkullimi i të cilëve për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 8 milionë lekë për këtë vit kalendarik, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda afatit 1-15 janar 2010. Me anë të këtij regjistrimi, këta tatimpagues për vitin 2010 e në vazhdim do të paguajnë TVSH, Tatim Fitimi, sigurime shoqërore e shëndetësore dhe TAP (sipas rastit). Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP, detyrimi për deklarim për këta tatimpagues nuk do jetë një herë në tre muaj, por muaj për muaj, sipas afateve të përcaktuar në legjislacionin fiskal ekzistues. Kategoria B: Të gjithë ata persona fizikë apo juridikë, qarkullimi i të cilëve për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 5 milionë lekë për këtë vit kalendarik, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda afatit 1-15 janar 2010.
Inflacioni, 2 mijë lekë më shumë në muaj për ushqime
Inflacioni zyrtar prej 2 për qind, edhe pse më i ulëti i viteve të fundit, fsheh rritjen e çmimeve për produktet më të domosdoshme të konsumit familjar, ushqimeve, të cilat zënë dhe pjesën më të madhe të shpenzimeve në një familje. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se çmimet e ushqimeve sot janë 6.7 për qind më të larta se sa në dhjetorin e vitit 2008. Kjo rritje është më e larta që nga viti 1997. Madje ajo është edhe më e lartë se sa rritja e çmimeve të artikujve ushqimor gjatë vitit 2007, kur bota u përball me krizën më të rëndë të ushqimeve gjatë dekadave të fundit. Shtrenjtimi i ushqimeve krijon barrën më të rëndë për buxhetet familjare pasi ato zënë peshën më madhe në shpenzimet mujore, e cila sipas INSTAT-it është rreth 40 për qind. Në anketën e shpenzimeve të realizuar verën e vitit të kaluar, INSTAT përllogariti zyrtarisht se një familje në Shqipëri shpenzon në total mesatarisht 68 mijë lekë në muaj, nga të cilat 27 mijë lekë harxhohen vetëm për ushqime. Me këtë rritje prej 6.7 për qind, një familje shpenzon sot rreth 2 mijë lekë më shumë në muaj për të blerë të njëjtat ushqime si një vit më parë. Goditja është shumë e rëndë për familjet me të ardhura të pakta, në të cilat shpenzimet për ushqime sipas Bankës Botërore zënë deri në 70 për qind të totalit të të ardhurave mujore. Sinjalet që po vijnë nga tregu i ushqimeve, po konfirmojnë paralajmërimin e bërë kohë më parë nga institucionet financiare të botës, sipas të cilave pas krizës ekonomike, bota do të përballet me rritje masive të çmimeve, të cilat do të jenë edhe më të forta në vendet në zhvillim, për shkak edhe të zhvlerësimit të monedhave, paralajmërim që edhe pse në kulmin e krizës e ka bërë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani .
Interesat bankare
Banka e Shqipërisë
Më poshtë do të gjeni interesat e reja të ofruara nga banka.
Përditësimi i fundit: 15.01.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.65%
12M 12-mujor 7.67%
6M 6-mujor 6.61%
3M 3-mujor 5.59%
1M 1-mujor 5.18%
1Ë njëjavor 4.75%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.75%
1Ë njëjavor 6.31%
o/n njëditor 6.00%
12M 12-mujor 9.46%
6M 6-mujor 8.22%
3M 3-mujor 7.29%
18 Janar 2010