E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ligji do të nxisë konfliktet"

Pronarët dalin kundër dhe i kërkojnë qeverisë financime dhe ndihma të tjera, jo ligje të tilla

TIRANË - Banorët e fshatrave përreth Tiranës, dolën kundër nismës së qeverisë "Berisha" për miratimin e ligjit, i cili vendos sanksione për të gjithë ata që lënë djerrë tokat. Këta pronarë thonë se nëse një ligj i tillë miratohet në parlament, mund të sjellë konflikte midis tyre.


Banorët e fshatrave të kryeqytetit që kanë disa dynym tokë në përdorim, kërkojnë nga qeveria mbështetje në forma të ndryshme për të stimuluar punimin e tokës dhe jo kalimin e saj në fondin e komunës. "Unë personalisht kam 12 dynym tokë, dhe pothuajse e përdor të gjithën.


Nëse kjo nismë e qeverisë do të miratohet, atëherë ajo do të shtojë konfliktet mbi tokën në fshat. Por edhe sikur të mos përdorja një pjesë të saj, nuk do të pranoja që tokën të ma punojë dikush tjetër.


Të njëjtën gjë mund të them edhe nëse komuna do të më ofronte mundësinë për të punuar tokën e dikujt tjetër, që përsëri nuk do të pranoja ta bëja një gjë të tillë"- thotë Mustafa Haxhiu, njëri nga banorët e vjetër të fshatit Mullet, pjesë e komunës Petrelë.


Edhe banorët e fshatit fqinj, të Mulletit, ato të Dobreshit në Komunën e Bërzhitës, shprehen kundra projektligjit për kalimin e tokës që lihet djerrë në përdorim të dikujt tjetër.


Riza Sallaku, një banor i vjetër i fshatit Dobresh, shprehet se një nismë e tillë duhet të zëvendësohet me një projekt për t'i ndihmuar financiarisht banorët e fshatrave për të punuar tokën dhe jo për ta konfiskuar dhe kaluar në fondin e komunës.


"Tokat janë djerrë se fshatarët nuk kanë mundësinë financiare që t'i punojnë dhe jo se nuk duan ata",- thotë Sallaku, duke kundërshtuar projektin e qeverisë. Fshati Mullet, ka sot rreth 220 shtëpi dhe pothuajse banorët e përdorin tokën për prodhime bujqësore.


Ndërsa nga të pyeturit, të paktë janë ata që përkrahin nismën e qeverisë, por shprehen se një gjë tillë nuk mund të ndodhë, nisur nga mentaliteti që ka shqiptari për tokën që ka në pronësi.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›