Emigranti vritet me 5 plumba në kokë
Vrasje mafioze në Fier, Leonard Hazizaj është marrë peng, torturuar dhe vrarë. Trupi u gjet në tunelin e vjetër të ushtrisë
Policia: Arrestuam dy nga autorët, dy të tjerë në kërkim. Qëllimi i vrasjes, është grabitja e parave
FIER- Një 32-vjeçar nga Fieri është ekzekutuar në mënyrë mafioze e më pas trupi është hedhur në një tunel të braktisur. Viktima është identifikuar si 32-vjeçari Leonard Hazizaj. Ai është marrë peng, torturuar për orë të tëra dhe më pas është ekzekutuar me pesë plumba në kokë. Në orët e vona të mbrëmjes, policia ka pohuar se autorët e vrasjes janë katër të rinj që kanë grabitur paratë e emigrantit Hazizaj. Dy prej tyre, 17 dhe 18 vjeç, janë arrestuar ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim.
Banorët e fshatit Frakull të Fierit kanë shquar mëngjesin e djeshëm një kufomë në tunelet e braktisura të ish-repartit të tankeve. Menjëherë janë njoftuar uniformat blu fierake, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të kryer ekspertizën e parë. Sipas hetuesve të policisë që ishin në vendin e ngjarjes, kufoma është gjendur në hyrje të një tuneli. "Viktima ka pesë plumba në kokë. Në vendin e ngjarjes kemi gjetur tetë gëzhoja, që do të thotë se është qëlluar po kaq herë me armë tip automatik kallashnikov",- thanë dje hetuesit e ngjarjes. Sipas tyre, plumbat që ka marrë në kokë i kanë shkatërruar krejtësisht fytyrën. Ndërkohë në trup ka pasur shenja të dukshme dhune që tregojnë se viktima është rrahur përpara se të vritej.
Hetuesit pohuan se viktima nuk kishte asnjë dokument identifikimi me vete. Gjatë kontrollit trupor që i është bërë viktimës sipas ekspertëve ky i fundit i përkiste seksit mashkull, rreth moshës 32 vjeç. Për orë të tëra policia është përpjekur që të identifikojë të vrarin por pa rezultat. Sërish në ndihmë të uniformave blu kanë ardhur banorët e zonës, të cilët kanë raportuar për një makinë të panjohur me targa greke. Verifikimi i mëtejshëm ka treguar se makina ishte e viktimës dhe se ai quhej Leonard Hazizaj.
Viktima ishte emigrant në Greqi dhe kishte ardhur në vendin tonë vetëm dy ditë më parë. Ai kishte ndaluar në Levan pasi para pesë muajsh ishte fejuar me një vajzë nga ai fshat dhe që të mërkurën kishte ditëlindjen. Të njohurit e viktimës i kanë pohuar policisë se ai ishte nisur për në shtëpinë e të fejuarës, të cilës do t'i shpinte edhe një dhuratë por nuk ka mbërritur asnjë herë aty.
Hetuesit e policisë kanë dyshuar që në fillim se viktima është ndaluar nga persona që mund të ishin banorë të zonës dhe është marrë peng. Më pas ai është torturuar për orë të tëra dhe është vrarë me pesë plumba pas koke. Në orët e mbrëmjes janë zbardhur edhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Pengmarrja dhe vrasja janë kryer nga katër persona për qëllime grabitjeje.
Gjatë ditës së djeshme, policia ka ushtruar kontrolle në zonën ku është gjetur kufoma si dhe në lagjen e romëve të Levani. Aty janë përqendruar edhe dyshimet e hetuesve për vrasësit e 32-vjeçarit. Uniformat blu kanë qëndruar për 30 minuta në një banesë që i përkiste shtetasit S. O, i vrarë në vitin 1997. Gjithashtu kontrolle ka pasur edhe në disa banesa të tjera të kësaj lagjeje. Për këtë ngjarje janë shoqëruar në polici edhe disa persona banore të lagjes Rome. Pas dëshmive të tyre policia ka arritur tek autorët që janë 17- vjeçari me inicialet SH. A dhe 18- vjeçari me inicialet R.O. Dy të tjerë janë shpallur në kërkim.