Ligji, femrat duhet të kenë 30% të posteve drejtuese
Sipas Ministrisë së Punës, femrat duhet të kenë poste drejtuese 30% në administratë dhe në listat e partive për zgjedhje
Femrat duhet të kenë përfaqësim të paktën 30% në të gjitha nivelet drejtuese të administratës publike. Madje edhe partitë politike, gjatë zgjedhjeve, në lista duhet të kenë të paktën 30 për qind të kandidatëve femra. Ky është projektligji "Për Barazinë gjinore në shoqëri", propozuar nga Ministri i Punës dhe e miratuar dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Femrat në drejtim
Projektligji "Për barazinë gjinore në shoqëri" sanksionon, për herë të parë, kuptimin e pjesëmarrjes së barabartë gjinore në procesin e vendimmarrjes. Në projekt-ligj përcaktohet se, përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe të institucioneve të tjera publike, arrihet kur sigurohet përfaqësim në masën jo më pak se 30% i secilës gjini, përfshi edhe organet e tyre drejtuese. Gjithashtu, sipas projektligjit, duhet të sigurohet përfshirje jo më pak se 30% e secilës gjini, në listën e kandidatëve për zgjedhjet në organet përfaqësuese vendore (lista emërore rendit që nga kreu kandidatët femra dhe meshkuj, në mënyrë te alternuar). "Të sigurohet përfshirje jo më pak se 30% e secilës gjini, në listën e kandidatëve të paraqitur nga partitë politike për sistemin proporcional për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë",- bëhet e ditur në projektligjin e propozuar nga Ministra e Punës dhe miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Gjithashtu specialistët pohojnë se, element i ri i projekt-ligjit është përcaktimi i Nëpunësve të Barazisë Gjinorë në nivel ministrie. Kështu, projekt-ligji parashikon një mekanizëm të ri mbrojtës siç është Komisionari Për Barazi Gjinore, i cili bashkëpunon me institucione publike. "Detyrë e tij është të hartojë raporte lidhur me diskriminimin gjinor dhe del me rekomandime e sugjerime konkrete për organet kompetente, për eliminimin e situatës diskriminuese dhe kur vëren elementet e ndonjë vepre penale ka kompetencë për nisjen e procedimit penal",- bëhet e ditur në projekt-ligj, duke shtuar se raporti i tij ka vlerën e provës në procedurat gjyqësore.
Barazia gjinore
Projektligji "Për barazinë gjinore në shoqëri" sanksionon, për herë të parë, kuptimin e pjesëmarrjes së barabartë gjinore në procesin e vendimmarrjes. Sipas specialistëve të Ministrisë së Punës, ky hap është mjaft i rëndësishëm në kushtet e zhvillimeve politike të Shqipërisë, e cila ka mbetur një nga vendet e fundit në Evropë, në lidhje me përfaqësimin e grave në organet përfaqësuese të qeverisjes. Ndërkohë që ka një mospërputhje të paarsyeshme midis pjesëmarrjes së grave në stafet teknike të të gjitha niveleve e në të gjitha fushat, dhe pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje. "Qëllimi kryesor i këtij projektligji është mbrojtja e qytetarëve nga çdo lloj diskriminimi që kryhet mbi bazë gjinie, garantimi i mundësive dhe shanseve të barabarta, si për meshkujt edhe për femrat, për të arritur standarde sa më të larta në fushën e barazisë gjinore",- pohojnë burime zyrtare të Ministrisë së Punës duke shtuar se kjo do të realizohet përmes përmirësimit të funksioneve në fushën e barazisë gjinore, që do të përmbushen nga ky projekt-ligj, si dhe forcimit të mekanizmave institucionalë që do të zbatojnë kuadrin ligjor të kësaj fushe.