Strategjia, familjet që marrin në kujdestari jetimët do paguhen
Ministria e Punës dhe UNICEF, vendosin të ngrijnë shërbimin e kujdestarisë për fëmijët jetimë dhe fëmijët pa kujdes prindëror
Fëmijët jetimë dhe pa kujdes prindëror, do të sistemohen pranë familjeve që janë të interesuar për të ofruar shërbim kujdestarie. Familjet që do ta ofrojnë këtë shërbim për këto kategori fëmijësh, do të financohen nga shteti. Kjo është strategjia e Sektoriale e Mbrojtjes Sociale e propozuar nga Ministria e Punës, sipas të cilit, parashikon pilotimin e këtij shërbimi në vitin 2008-2010. Gjithashtu, specialistët e Ministrisë së Punës pohojnë se kjo strategji mbështetet në objektivat politike të programit të Qeverisë për reduktimin e varfërisë së individëve dhe familjeve, me përfitime në para dhe shërbime sociale.
Jetimët
Ndonëse nuk kanë prindër ose iu mungon kujdesi i tyre këtyre, fëmijëve do t'u ofrohet shërbim në familje të tjera. Madje, shteti do të japë pagesa për familjet që marrin përsipër kujdestarinë e këtyre fëmijëve. Kështu, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale bën të ditur se, për fëmijët jetimë dhe pa kujdes prindëror, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e UNICEF, parashikohet të ngrihet shërbimi i kujdestarisë si shërbim alternativ për këtë kategori sociale. "Parashikohet pilotimi i këtij shërbimi në vitin 2008-2010 dhe mbi bazën e rezultateve që do të arrihen parashikohet shtrirja e mëtejshme e këtij shërbimi",- pohojnë specialistët e Ministrisë së Punës. Ndërsa sa i takon shumës së pagesave që do të marrin familjet, specialistët pohojnë se ato do të caktohen me akte nënligjore dhe do të behën të ditura së shpejti.
Shërbimet sociale
Strategjia e Sektoriale e Mbrojtjes Sociale, sipas Ministrisë së Punës parashikon objektivat për gratë të cilat synojnë shmangien e diskriminimit dhe premisa për barazinë e mundësive. "Me prioritet do të mbështeten gratë kryefamiljare, nënat me shumë fëmijë, gratë e dhunuara, të trafikuara dhe në rrezik trafikimi",- pohojnë burime zyrtare të Ministrisë së Punës. Gjithashtu bëhet e ditur se strategjia parashikon zgjerimin e llojshmërisë së shërbimeve dhe gjeografisë së tyre, me synim që në të ardhmen të mbulohen nevojat me shërbime edhe në disa qarqe apo në bashkitë dhe komunat me burime të kufizuara financiare. "Në Strategjinë e mbrojtjes sociale parashikohen objektiva për implementimin e standardeve të shërbimeve, të cilat tashmë janë prodhuar dhe shpërndarë për implementim për të gjithë ofruesit e shërbimeve, përdoruesit, OJF-ve dhe operatorëve të tjerë privatë",- bëhet e ditur nga Ministria e Punës duke shtuar se në mënyrë të veçantë, Inspektorati i Shërbimeve Sociale që është ngritur merr përgjegjësi për të mbështetur ofruesit dhe përfituesit, për rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrohen në qendrat rezidenciale apo ditore.